Josa flet për barazimin me Partizanin

Futboll

Josa flet për barazimin me Partizanin

Më: 2 dhjetor 2016 Në ora: 16:26
Josa

Mirel Josa, trajneri i Tiranës, ka analizuar ndeshjen që zgjati dy ditë kundër të kuqve, duke dalë në konkluzionin se edhe barazimi (0:0) nuk është i keq: “Partizani kishte gjetur strategji tjetër sot për të goditur dhe fituar ndeshjen. Normalisht, luajti me topa të gjatë, tentoi të fitonte topin e dytë, që të dilte përpara. Ne kërkuam me sulm gradual, por në momente të caktuara luajtëm shumë shkurt. Nuk e dërguam topin si duhet te dy sulmuesit. Megjithatë, mendoj se edhe barazimi është i pranueshëm. Zëvendësimet? Doja shtatlartësi më të madhe në qendër të fushës me Akua dhe pastaj vendosa t’i jap frymëmarrje topit të shtruar, duke spostuar Takun në mesfushë dhe Muzakën në krah. Dje e nisëm mirë ndeshjen, ndërsa sot jo me atë ritëm. Ashtu doja ta nisja lojën përsëri, por strategjia e Partizanit, që në topin e parë, me pasime të gjata, qoftë nga portieri, qoftë nga mbrojtësit, bëri që të spostohej loja në gjysmëfushën tonë. Ne nuk ishim në lartësinë e duhur në fitimin e topit të parë, fillimisht, sidomos 10 minutat e para sot. Pastaj vendosëm njëfarë ekuilibri. Kur e qarkulluam topin me Muçën e Kërçikun, luajtëm shumë shkurt. Partizani na kapi në befasi, duke na vjedhur topin dy-tri herë në qendër të mesit të fushës. Sulmuesit? Cisse krijon shumë volum loje, por nuk është një lojtar si Salihi. Ky i fundit, dy rastet e mbrëmshme nuk do t’i kishte falur. Në këto momente do të vazhdojmë me grupin që kemi. Në janar do të kërkohet një sulmues, por varet në çfarë gjendjeje do të kthehet Ede, i cili për mendimin tim nuk është sulmues goli. Do ta shikojmë si do të plotësohet me mesfushorët e tjerë, qoftë Merveil, qoftë Moisse. Merveil ka dalë tri herë në pozicione të mira, por ka gjuajtur shumë gabim. Këto ndeshje të mbetura duhet të jemi më të koncentruar para portës. Kështu siç erdhi puna jam i kënaqur nga ky derbi. Të hënën sërish ndeshje, tri sfida në një javë? Normalisht, është densitet i madh për futbollin tonë. Na pret një transfertë e vështirë në Vlorë. Flamurtari është në ngritje, pavarësisht problemeve që ka pasur. Do ta shikoj skuadrën nesër, se në çfarë gjendjeje është. Niveli shumë i mirë i lojës së Flamurtarit nuk ka lidhje me ato që shkruhen nëpër gazeta, ka lojtarë cilësorë brenda dhe ne e vlerësojmë maksimalisht. 5 pikë larg kreut? Titulli? Për mendimin tim nuk duhet të mendojmë titullin kampion. Tirana mendoj shumë shpejt për këtë, që pasi mundi Skënderbeun, por më pas kemi treguar oshilacione në lojën tonë. Duhet të përmirësohemi”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat