FC Drita po këndellet

Futboll

FC Drita po këndellet

Nga: Nexhmedin Bunjaku Më: 28 nëntor 2016 Në ora: 16:32
Nexhmedin Bunjaku

Debate

Ekipi i futbollit Drita nga Gjilani si duket tejkaloi një krizë të thellë rezultatesh që kishte, dalëngadalë por u këndell. As ekspertët më të mëdhenj nuk do të kishin paramenduar këto rezultate të dobëta të FC Drita duke llogaritur organizimin e shkëlqyeshëm të kryesisë, përforcimet me emra të njohur të futbollit të Kosovës dhe me gjerë, kushtet për punë etj. Qe me fitoren e parë në ndeshjen e xhiros së parë si mysafir i  FC Trepçës, të gjithë kishim bindje edhe me të thellë se FC Drita do të ketë rol të veçantë në garë për titull. Edhe ndërrimi i dy trajnerëve nuk bëri punë, ekipi vazhdoi me paraqitje të dobëta që ishte për çudi të të gjithë atyre që njohin historikun e këtij klubi, asnjëherë  gjer me sot  ekipi i  FC Dritës nuk kishte qenë në këso lloj krize në 11 ndeshje vetëm 5 pikë.

Barazimi kundër FC Drenica si mysafir si duket theu akullin dhe filloi këndellja çka vërteton se tash një xhiro para përfundimit të sezonit vjeshtor ka 13 pikë dhe gjendet në pozitën e 9-të. Planet dhe programi i klubit janë afatgjatë çka edhe garanton për një të ardhme të ndritur të këtij klubi, një të ardhme të një klubi Europian, një klubi që nuk do t’i mungojnë sukseset kulminante dhe prezantimin e këtij klubi në arenën Europiane. Këndellja në xhirot e fundit, shton shpresën edhe më shumë se në pranverë do të kemi krejtësisht një ekip që nuk do ta ketë brengë mbijetesën por luftën që të jetë sa më lartë në tabelë dhe të fitojë Kupën e Republikës. Organizimi i mrekullueshëm i klubit dhe kushtet shumë të mira të ofruara nga kryesia e cila nuk po kursen asgjë për të mirën e klubit, rrit shpresën se në të ardhmen e afërt për këtë klub do të shkruhet dhe flitet vetëm për rezultate kulminante. FC Drita me një traditë 69-vjeçare ku nga ky klub kanë dalë emra të mëdhenj të futbollit, kanë dalë shumë gjenerata, klub që ka qenë me dekada i persekutuar nga bandat sllavokomuniste, klub i krenarisë jo vetëm i qytetit të Gilanit por edhe me gjerë.

Të gjithë ata që kanë bartur fanellën e këtij klubi dhe të gjithë ata që e bartin dhe do ta bartin këtë fanellë në të ardhmen, duhet ta din për nder dhe të ndihen krenarë që kanë qenë, janë dhe do të jenë pjesë e këtij klubi të madh. FC Drita e bënë klub edhe më të madh armata e madhe e tifozerisë ‘Intelektualet’, tifozeria më e flakët në rajon dhe me gjerë, tifozeri që ia kanë lakmi të gjithë për spektaklet që dinë t’i bëjnë vetëm ata, një tifozeri që çdo klub do të dëshironte ta kishte në gjirin e vet. Për fund sllogani i tifozerisë ‘Intelektualet’: Ti kurrë nuk do ecish Vetëm.

Autori është ish-futbollist i Dritës nga Gjilani dhe ish-gjyqtar i futbollit

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat