Chelsea në garën për James Rodriguez

Futboll

Chelsea në garën për James Rodriguez

Më: 27 nëntor 2016 Në ora: 15:46
James Rodriguez

James Rodriguez është në prag të lamtumirës. I aktivizuar për herë të parë si titullar pas tre muajve, organizatori kolumbian po vlerëson të gjitha alternativat dhe mund të vendosë të largohet nga Spanja prej merkatos së Janarit. Ofertat për të nuk mungojnë, ndërsa së fundmi në garën për shërbimet e 25-vjeçarit është rikthyer edhe Chelsea. Trajneri Antonio Conte është gati të sfidojë rivalin e madh, Jose Mourinho, që prej kohësh po mendon ta transferojë te Manchester United.

Te Chelsea nuk e kanë fshehur asnjëherë vlerësimin për mesfushorin me tipare ofensive, me blutë që tentuan ta afronin në Stamford Bridge prej merkatos së verës, por në atë periudhë lojtari u cilësua i pashitshëm nga Reali. James Rodriguez, i transferuar në Madrid në vitin 2014 për shifrën e 80 milionë eurove, duke u shndërruar në lojtarin e gjashtë më të shtrenjtë në histori, është gati të largohet nga gjigandët spanjoll, vetëm për të luajtur rregullisht.

Kolumbiani nuk ka arritur të sigurojë një vend titullari në “Bernabeu”, pavarësisht dëmtimeve të shumë futbollistëve në radhët e kampionëve të Europës. Marrëdhënia e James Rodriguez me trajnerin Zinedine Zidane nuk është ndër më të mirat, me futbollistin që është detyruar të shohë pjesën më të madhe të ndeshjeve nga stoli i rezervave.

Një problem për largimin e 25-vjeçarit, për të cilin interesohen edhe Juventusi dhe Interi në Itali është dënimi i Realit, që nuk mund të përforcohet me lojtarë gjatë dy afateve të ardhshme në merkato. Megjithatë, nëse James Rodriguez do ta kërkojë me ngulm largimin, te Reali mund të mos kenë zgjidhje tjetër përveçse ta shesin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat