Flamurtari, pagat e 5 muajve jepen bashkë me interes

Futboll

Flamurtari, pagat e 5 muajve jepen bashkë me interes

Më: 24 nëntor 2016 Në ora: 16:14
Flamurtari

Nëntori me diell në Vlorë ka larguar edhe retë e zeza nga Flamurtari. Në skuadrën kuqezi janë në festë, pasi klubi derdhi në llogaritë bankare të lojtarëve pagat e prapambetura të pesë muajve, si edhe 10 për qind më tepër për çdo muaj vonesë. Drejtuesit e klubit njoftuan Bruno Telushin për pagesën e detyrimeve të prapambetura dhe më pas ishte kapiteni, ai që shpërndau lajmin e mirë te pjesa tjetër e skuadrës. Pas agonisë disa-mujore dhe ankthit për të ardhmen e klubit, me rrezikun konstant të rënies nga kategoria, lajmet e mira shoqërojnë njëra-tjetrën në Vlorë.

Për të arritur te pagesa e pesë pagave të prapambetura të skuadrës, së bashku me 10 për qind interes për çdo muaj vonesë, më parë klubi zgjidhi çështjet më emergjente, dhe që rrezikonin seriozisht emrin e Flamurtarit. Fillimisht u evitua rënia e skuadrës nga kategoria prej borxheve të sezoneve të mëparshme. Pas heqjes së 6 pikëve në renditje nga Komisioni i Disiplinës për kalimin e afateve për shlyerjen e ish-futbollistëve, klubi kuqezi u ndihmua nga Federata Shqiptare e Futbollit për pagesën e një pjese të pagesave të prapambetura ndaj futbollistëve Artan Sakaj, Polizoi Arbri, Franc Veliu e Erjon Vucaj.

Kësti i parë i detyrimeve ndaj lojtarëve do të paguhet nga fondet e federatës, me shifrën që do ti mbahet klubit nga përfitimet e të drejtës televizive dhe të ardhurat e tjera nga organizmat ndërkombëtarë. Me rrezikun të arkivuar, në Vlorë u zgjidh edhe çështja e pagesave të lojtarëve aktualë. Një mënyrë për të garantuar ecurinë e skuadrës në këtë sezon dhe për të evituar eksodin masiv të lojtarëve, raporton supersport.

Rikuperimi i 6 pikëve të hequra në renditje mbetet sfida e radhës për skuadrën. Me kualitetin që kuqezinjtë zotërojnë, stabiliteti financiar mjafton për tu përqendruar vetëm te futbolli dhe për të mbyllur një tjetër sezon që nisi me ambicie të mëdha, por ku vlonjatëve më parë u duhet të sigurojnë mbijetesën në elitë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat