Albert, çoje kokën lart, se...disa bastvënës u dogjën në baste

Futboll

Albert, çoje kokën lart, se...disa bastvënës u dogjën në baste

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 15 nëntor 2016 Në ora: 11:49
Albert Bunjaku

Një mal kritikash në adresë të Albert Bunjakit, përzgjedhësit të kombëtares së Kosovës në futboll. Kritikat tani vijnë që nuk ka bërë zëvendësime në takim me Turqinë. Kosova humbi me rezultat 2:0, në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror – ‘Rusia 2018’. Por aq sa merr vesh unë si autor i këtij shkrimit, Kosova luajti ndeshjen më të mirë hiq dy golave që pësuan nga një Turqi që ka lojtarë të klasit të lartë. Pak orë para fillimit të ndeshjes, në disa baste pëshpëritej nga disa bastvënës se duhet ta luajmë Turqinë me Kosovën, 1-1 dhe 4 plus, disa mendoni edhe 5 plus, sepse një numër konsideroni se Kosova do të humbë ngjashëm si nga Kroacia me rezultat 6:0, pa i shkuar askujt mendja se do të shënohen vetëm dy gola. Kishte të atillë që mendoni se një kamionë gola do të zbrazej në portën tonë, por fatmirësisht nuk ndodhi. Dhe disa bastvënës u djegën, se nuk u doli 1-1 dhe as 4+,as 5+ e ndoshta ka pasur të atillë që kanë pritur edhe 7+.

Por doli pjesa e parë X dhe e dyta 1-sh. Dhe e para, disa bastvënës u djegën, sepse kushedi sa euro i kanë futur për ta mbushur xhepin, por iu mbeti thatë. Dëshpërim!!! Të gjithë e dinim fuqinë e Turqisë, të gjithë e dinim se Kosova është një kombëtare e re, duke u komponuar dhe një foshnje e sapolindur tash për tash në kualifikimet, sepse ka vetëm katër ndeshje ose aty ku thyhen arrat! Dhe katër ndeshje, një barazim e tri humbje, bilanc i keq, por askush nuk ka pritur me tepër, bile edhe atë pikë që e fituam në Finlandë.  Dhe t’i marrim shembull disa ndeshje të kësaj xhiroje që u zhvilluan:  Estonia ka kohë që luan në garat ndërkombëtare, pësoi si mysafirë me 8:1 nga Belgjika! Rumania është kombëtare që ka marrë pjesë edhe në finalet e evropianit e botërorit, dhe humbi si vendas me 3:0 nga Polonia!  Maqedonia pësoi me 4:0 nga Spanja, po ashtu edhe Azerbajxhani nga Irlanda Veriore, ose Lituania nga Sllovakia me 4:0 etj. Prandaj, Albert, çoje kokën lart, sepse me ndeshjen në Turqi nuk u korite, as nuk u turpërove, as nuk u marrove, por djelmoshat që i zbarkove në fushë edhe dhanë provimin, mbase një herë qëlluan shtyllën. Një numër i kritikuesve ta kërkojnë shkarkimin, edhe asaj i vjen rendi!

Do të ishte mirë të luajmë bast, se do ta kryejë mandatin, do ta shkarkojnë apo do të jep dorëheqje Bunjaki, dhe në cilën kohë, gjithsesi kjo do të ishte e paparashikueshme dhe rreziku më i madh është se bastvënësit mund të digjen sikur me Turqinë.  Fundja, duhesh ta mbash kokën lart, se kur kritikohesh vlen diçka, kur nuk merret askush me Ty, nuk je askush. Edhe ata që të kritikojnë kanë të drejtë, sepse i shohin gabimet, por pa gabime nuk është edhe përzgjedhësi i Gjermanisë Joachim Low që është kampion bote me kombëtare. As Conte, as Mourinho, as Guardiola dhe askush tjetër, të paktën në këto katër xhirot e para nuk do të bënte më shumë, sepse ky është realiteti. Sepse kemi shumë talent të rinj dhe duhet kohë. Këtë e dimë të gjithë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat