Ikin kongolezët, Tirana kërkon të luajë të Shtunën

Futboll

Ikin kongolezët, Tirana kërkon të luajë të Shtunën

Më: 2 nëntor 2016 Në ora: 22:28
ilustrim

Eliminatoret e Botërorit rus bëhen pengesë për Tiranën për shkak se dy lojtarët e saj Moise dhe Mereville janë grumbulluar nga përfaqësuesja e Kongos për sfidën e radhës dhe klubi kryeqytetas për të mos humbur shërbimet e tyre i ka kërkuar FSHF afrimin e ndeshjes me Teutën. Bardheblutë kanë dorëzuar në Federatë një kërkesë që ndeshja e javës së 10-të me durrsakët, në program të Dielën në orën 17:00 të afrohet me 24 orë për t’u zhvilluar të Shtunën.

Kjo do t’i jepte Tiranës mundësinë që të kishte në dispozicion të dy futbollistët kongolez, pasi biletat e tyre për të udhëtuar për transfertën e Kongos me Ugandën janë prerë për ditën e Dielë dhe në rast se ndeshja do të zhvillohej në këtë ditë bardheblutë nuk do të kishin shërbimet e tyre. Ndeshja me Teutën, ndaj së cilës në katër përballjet e fundit, Tirana ka barazuar pa gola 0-0 do të luhet në “Selman Stërmasi” dhe tapeti i impiantit bardheblu është gati për zhvillimin e kësaj sfide, dhe afrimi i mundshëm i ndeshjes nuk ndikon në gjendjen e fushës, pasi ajo duket në kushte optimal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat