Tirana, Josa ka aleat kalendarin

Futboll

Tirana, Josa ka aleat kalendarin

Më: 2 nëntor 2016 Në ora: 21:47
Tirana

Mirel Josa ka marrë zyrtarisht frenat e Tiranës, është rikthyer aty ku gjithmonë e kanë konsideruar një të shtëpisë, aty ku ka fituar titullin e parë kampion si trajner, por sfidat që gjen përballë sot janë të shumta e intriguese, edhe për dikë që ka fituar 4 vitet e fundit titullin kampion në Shqipëri. I njohur si një teknik që zgjedh gjithmonë sulmin, dicka që i pëlqen ta deklarojë jo pa krenari, a do t’ia dalë ta bëjë më të bukur, më spektakolare por mbi të gjitha më rezultative Tiranën. Një aleat në këtë aventurë të re, Josa e ka, dhe është pikërisht kalendari. Tirana i luan të tre takimet e radhës në shtëpi, ku natyrisht mund të mbështetet dhe të përkrahja e tifozerisë në Selman Stërmasi, dhe mbi të gjitha ndaj sfidave që të paktën në letër nuk kërkojnë sforco titanike.

Ndeshja e parë për Josën në aventurën e tij të tretë te Tirana do të jetë ajo e kësaj të Diele me Teutën që viziton kryeqytetin. Detaj interesant përballja mes Josës dhe Maganit, njeriut që sot nis aty një mision të ri, dhe teknikut peqinas që e njeh mirë se sa djeg stoli bardheblu dhe presionin që ofron falë aventurës së tij dy vite më parë në krye të 24 herë kampionëve. Te Teuta Magani ka gjetur habitatin natyral pas peripecive në Vlorë dhe tani rikthehet në krye të bregdetarëve për t’i prishur Josës festën e debutimit. Pas përballjes me Teutën, pauza e ndeshjeve të kombëtareve mund të konsiderohet padyshim një favor për Josën, do të thotë më tepër kohë për të kolauduar grupin, për t’i transmetuar idetë e tij e aplikuar ato në fushën e blertë.

Impenjimi zyrtar i radhës do të jetë në mesin e këtij muaji, më saktësisht në 16 nëntor kundër Luftëtarit në Kupë, një tjetër ndeshje që mund t’i shërbejë si vitaminë Tiranës së Josës dhe pas tre ditësh në kampionat, Selman Stërmasin e viziton për kampionatin Laci, një skuadër që duhet pranuar se ka humbur petkun e frikshëm të sezoneve të shkuara. Malorja e vërtetë për Josën fillon menjëherë më pas, një transfertë me Kukësin, dhe në 30 nëntor derbi me Partizanin. Dy paraardhësit e tij, Magani dhe Daja nuk arritën ta shijonin gëzimin e triumfit ndaj rivalëve të kuq, Josa deri atë herë duhet t’i ketë dhënë skuadrës fytyrën e tij, atë të fitimtarit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat