Hakmarrja e Sulley Muntarit

Futboll

Hakmarrja e Sulley Muntarit

Më: 23 tetor 2016 Në ora: 14:20
Muntari

Milani ja doli të fitonte në San Siro falë golit të talentit të ri Manuel Locatelli si dhe atij goli që Rizzoli i anulloi Pjanic. Kuqezinjtë shkurtuan distancat me të parën e klasifikimit dhe tani janë dy pikë larg kreut. Milan-Juve dhuroi spektakël dhe emocione të denja për një kryendeshje të Serie A, por në episodin e parë të dyshimtë shpirtrat u nxehën duke risjellë në pah inatet e së kaluarës.

Padyshim që protagonist i polemikave në rrjetet sociale ishte goli i rregullt që ju anullua Pjanic. Rizzoli fillimisht e kofnirmoi por pastaj ndryshoi mendje dhe është dashur kaq që në rrjetet sociale të nxjerrin nga sirtari golin fantazmë të Sulley Muntarit në 2012. Atëherë ishte një ndeshje për titullin, minuta e 25 e pjesës së parë kuqezinjtë ishin në avantazh falë golit të Noccerinos dhe panë t’u anullohej goli i dyfishimit. Arbitri Tagliavento nuk e pa golin e  Muntarit me Buffon që e ktheu topin pasi kishte kaluar pothuajse gjysëm metri vijën fatale duke bërë që të shpërthenin polemika të shumta.

Episodi i 2012 nuk është harruar kurrë nga milanistët, që e kanë rikthyer në vëmendje pas golit të anulluar të Pjanic në San Siro. Këtë herë e pësoi “Zonja e Vjetër” dhe në rrjetet sociale e kanë pagëzuar si “hakmarrja e Muntarit”. Mesfushori ganez aktualisht pa kontratë dhe i harruar në kronikat e futbollit të Serisë A, prej disa orësh është rikthyer sërish i famshëm, tanimë në versionin e një arbitri anësor që anullon golin e Pjanic. Sulley Muntari është kthyer në San Siro, jo më si futbollist por me flamurin në dorë. “Muntari thotë që është pozicion jashtë loje”. Hakmarrja është servirur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat