Fitore me vuajtje për Prishtinën dhe Feronikelin

Futboll

Fitore me vuajtje për Prishtinën dhe Feronikelin

Më: 22 tetor 2016 Në ora: 16:07
Prishtina

Kanë përfunduar dy ndeshjet e para në elitën e futbollit të Kosovës.

Prishtina ka arritur të shënoi fitore të mundimshme përballë Trepçës me rezultat 2-1.

Në fakt më mirë ndeshjen e nisën mysafirët të cilët e befasuan skuadrën kryeqytetase duke shënuar gol në minutën e 31-të nëpërmjet Ardian Mujës.

Epërsia e mysafirëve nuk vonoi shumë, pasi kapiteni Armend Dallku realizoi një gol fantastik nga gjuajtja e lirë për ta barazuar rezultatin në 1-1.

Golin e fitores për Prishtinën e arriti mbrojtësi Liridon Kukaj në minutën e 62-të.

Pas kësaj fitore Prishtina ka grumbulluar 23 pikë dhe është një më pak se lideri Trepça ’89.

Ndërkohë fitore të mundimshme ka shënuar edhe Feronikeli përballë Lirisë.

Deri në minutën e 75-të, mysafirët u mbrojtën mirë, por një gol i Bujar Shabanit ndryshoi gjithçka dhe i dhuroi tri pikë kampionit në fuqi të Kosovës.

Tri pikët e fituara ndaj Lirisë e ngritin në pozitën e tretë Feronikelin me 21 pikë të tubuara. 

Rezultatet:

Prishtina – Trepça 2-1

Armend Dallku (38), Liridon Kukaj (62) – Ardian Muja (31)

Feronikeli – Liria 1-0

Bujar Shabani (75)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat