Fanellat e Kosovës në muzeun e FIFA-s! E ftuar në ceremoni edhe 'Bota sot'

Futboll

Fanellat e Kosovës në muzeun e FIFA-s! E ftuar në ceremoni edhe 'Bota sot'

Nga: Kemajl Goca Më: 20 tetor 2016 Në ora: 13:03
Eroll Salihu në selinë e FIFA-s

Tri palë fanella të kombëtares së Kosovës u prezantuan në muzeun e shtëpisë më të madhe të futbollit botëror, FIFA, me seli në Zurich. Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, së bashku me anëtarin e Komitetit Ekzekutiv, Flamur Bunjakun, kanë paraqitur tri palë fanella me ngjyra të ndryshme në muzeun e FIFA-s. “Ekipi kombëtar i Kosovës ka arritur në Muzeun e FIFA-s. Në maj të këtij viti, Federata e Futbollit të Kosovës është pranuar në FIFA.

Tani, kombëtarja ka vizituar Muzeun e FIFA-s në Zyrich. Kjo do të bëjë që Kosova të jetë sikur të gjitha ekipet e shteteve që janë ftuar nga FIFA. 13 maj ka qenë ditë historike për Federatën e Futbollit të Kosovës. 10 ditë pasi është pranuar, Kosova është anëtarësuar edhe në FIFA. Kjo e ka bërë Kosovën anëtaren e 210-të të FIFA-s. Nga 207 anëtarët e FIFA-s që votuan, mori pjesë edhe AGM për të regjistruar atë. Tani, Federata e Futbollit të Kosovës u përfaqësua nga sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu dhe anëtari i komitetit ekzekutiv Flamur Bunjaku.

Fanellat e Kosovës tani janë si të gjitha tjerat të federatave anëtare, në muzeun tonë”, tha Stefan Jost, drejtor i muzeut. Sapo të kemi edhe fanellat e Gjibraltarit, muzeu do të jetë përsëri i plotë dhe do të shfaqë të gjitha kombëtaret nga 211 anëtarët e FIFA-s”, thuhet nga FIFA dërguar gazetës “Bota sot”. “Sot (në orën 14.00) në Zurich, unë së bashku me Flamur Bunjakun ishim në muzeun e FIFA-s, ku na priten shkëlqyeshëm. Ishte një ambient shumë i bukur ku na priti zyrtari i këtij asociacioni, Maurice Descamps me zyrtarë të tjerë. Vendi ishte i zbrazët ku duhet të paraqiten fanellat tona.

Aty shkruante Kosovo. Ne i paraqitem tri ngjyra të fanellave të kombëtares tonë.  Ngjyra kryesore është e kaltër, pastaj janë ajo ngjyrë ari dhe e bardhë”, thotë nga Zurich Salihu për gazetën kombëtare “Bota sot”. Ndërkaq, të premten (nesër) ai do të jetë i pranishëm në shortin që do të hedhet për futsall, ku Kosova përfaqësohet me Feniksin nga Drenasi, që është kualifikuar në Elite Round në UEFA Futsal Cup.

Image
Editori i gazetës kombëtare “Bota Sot”, Xhevdet Mazrekaj, në selinë e FIFA-s gjatë një eventi të mëparshëm

Në fakt, në këtë ngjarje të rëndësishme FIFA ftoi edhe gazetën më të madhe shqiptare, “Bota sot”.   Kjo është një ngjarje historike jo vetëm për futbollin tonë, por në përgjithësi shtetin tonë. FFK është anëtarja e 55-të e FIFA-s dhe që ka fituar një simpati në opinionin botëror. Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar tri ndeshje për kualifikimet për Kampionatin Botëror – ‘Rusia 2018’. Kosova është në grupin I, me Turqinë, Kroacinë, Ukrainën, Islandën dhe Finlandën.

Në tri ndeshjet e para ka një barazim e dy humbje. Djelmoshat tanë në hapje barazuan me rezultat 1:1 në Turku me Finlandën, pastaj si vendas (në Shkodër) u takuan me Kroacinë ku pësuan me rezultat 6:0 dhe në Poloni u mposhtën me 3:0 nga Ukraina.  Salihu e vlerësoi lart paraqitjen e fanellave në muzeun e FIFA-s, për faktin se shënon momentin më të mirë të futbollit tonë.

Duhet kujtuar se futbolli i Kosovës me 3 maj të këtij viti u pranua me të drejta të plota në asociacionin më të lartë evropian, UEFA, ndërsa me 13 maj në FIFA, në kongresin që u mbajt në Meksikë. Dhe nga ajo periudhë e këndej ka pasur zhvillime shumë interesante, ku pa dyshim duhet veçuar edhe ndeshjen e parë zyrtare miqësore pas pranimit në këto asociacione, me 3 qershor kundër Ishujt Faroe, të cilën e fituan me rezultat 2:0 dhe e cila ishte zhvilluar në Frankfurt. Ndërkaq, me 5 shtator zhvilloi takimin e parë zyrtar kualifikues me Finlandën në Turku, ku importoi pikën e madhe historike, pasi që barazuan 1:1.

Kosova vlerësohet si prej kombëtareve më atraktive që ka potencial për një periudhë të shkurtër mund të jetë një nga faktorët më të rëndësishëm.  Një numër i madh i ekspertëve botëror kanë përshtypje të mira për kombëtaren e Kosovës, duke i vlerësuar talentët që luajnë në klubet e ndryshme evropiane, si Milot Rashica në Vitesse,  Arbër Zeneli në Hereenveen, Bersant Celina  në Twente, Albert Bunjaku në St. Gallen, Alban Meha Konyaspor, Alban Pnishi në Grasshoppers, Bernard Berisha në Anzhi, Hekuran Kryeziu Luzern, Samir Ujkani në Pisa, Amir Rahmani në Lokomotivë Zagrebit, Vedat Muriqi në Gençlerbirligi etj.

Gazeta kombëtare ‘Bota sot’ ftohet nga FIFA

Asociacioni më i lartë i futbollit botëror, FIFA, fton gazetën kombëtare “Bota sot”, për ta përcjell ngjarjen shumë të rëndësishme që do të zhvillohet sot në orën 14.00 në muzeun e FIFA-s, ku do të paraqiten fanellat e kombëtares së Kosovës në futboll. Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës,  Eroll Salihu, së bashku me anëtarin e Komitetit Ekzekutiv, Flamur Bunjaku, do të jenë të pranishëm, kur paraqiten fanellën e kombëtares së Kosovës në muzeun e FIFA-s. Kjo është një ngjarje historike jo vetëm për futbollin tonë, por në përgjithësi shtetin tonë. FFK është anëtare e 55-të e FIFA-s.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat