Botërori 2018, Shqipëria rrezikon mbylljen e stadiumit

Futboll

Botërori 2018, Shqipëria rrezikon mbylljen e stadiumit

Më: 17 tetor 2016 Në ora: 22:48
Shulku

Shqipëria rrezikon seriozisht të zhvillojë të paktën një ndeshje kualifikuese, atë ndaj Izraelit më 12 Nëntor, me dyer të mbyllura. Kjo u konfirmua nga sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit, Ilir Shulku përpara mediave. Drejtuesit e futbollit shqiptar po presin me ankth vendimin e Disiplinorit të UEFA-s, pasi bëhet fjalë për një rast të përsëritur.

“Incidentet e ndeshjeve me Lihtenshtejnin dhe Spanjën, me flakadanë dhe shashka janë raste të përsëritura. Ndaj Maqedonisë u gjobitëm me 50 mijë euro, ndërsa tani rrezikojmë që të luajmë në fushën tonë pa tifozë. UEFA ka hapur çështjen dhe jemi një pritje të vendimit. Të vjen keq që për një grup të vogël personash, të dënohen të gjithë tifozët.”

Për të evituar ndëshkimet kolektive, të cilat padyshim do të ndikonin në mënyrë të drejtë për drejtë edhe te rruga e Kombëtares drejt Botërorit 2018, federata do të nisë një fushatë sensibilizimi dhe takimesh me të gjithë aktorët e përfshirë.

“Do të zhvillojmë takime me grupimet e tifozëve, policinë dhe më gjërë. Të gjithë bashkë të kontribuojmë për të sensibilizuar një mënyrë që të jemi korrekt në ndeshjet e ardhshme. Nuk kemi menduar për të ndëshkuar askënd nga grupimet në sektorët ku janë shfaqur këto probleme, pasi jemi ende në fazën ku do të bisedojmë”.

Në situatën e krijuar, sekretari i Federatës së Futbollit, premtoi masa më të forta sigurie për hyrjen në stadium gjatë ndeshjeve ndërkombëtare.

“Padiskutim që do të ketë ashpërsim të masave të sigurisë, sepse ky fenomen po vazhdon prej kohësh. Ne kërkojmë që tifozët në stadiumin Loro Boriçi të sillen njësoj si në Kampionatin Europian”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat