Tirana, përforcimet më të mira në shtëpi

Futboll

Tirana, përforcimet më të mira në shtëpi

Më: 13 tetor 2016 Në ora: 15:51
ilustrim

Rikthim ëndrrash për Gjergji Muzakën. 6 muaj pas dëmtimit luan ndeshjen e tij të parë dhe është ai që bën të mundur festën bardheblu me atë gol që i jep 3 pikë të rënda Tiranës. Një përgjigje prej profesionisti e 32-vjecarit që e bën prezencën e tij të ndihet pas një mungese të gjatë. Nuk mund të jetë thjesht një dhuratë e fatit, ka dicka më tepër, ka dicka nga sjellja e një profesionisti, nga vullneti për të mos u dorëzuar deri në minutën e fundit, ka dicka nga grinta dhe pesha e fanellës bardheblu.

Jo rastësisht janë pikërisht ata, futbollistët që e dinë se cdo të thotë të luash për 24 herë kampionët që kanë zgjidhur gjërat në këtë fillim kampionati për Tiranën. Mjafton të shohësh se si impulset në lojën e Tiranës i jep dikush që ka qëndruar plot një vit jashtë aktivitetit, Afrim Taku, është ai njeriu që dhuron asistin perfekt për Muzakën, është ai futbollisti që ka provuar t’i bëjë të gjitha, mbrojtësin, mesfushorin e madje dhe sulmuesin. Autor i dy golave në fitoren 3-0 ndaj Flamurtarit, vendimtar edhe me finalizimin e tij në barazimin 2-2 me Kukësin. Dicka e pazakontë që në listën e golashënuesve pas dy bomberave race si Salihi dhe Pejic me nga 5 finalizime, të shohësh 27-vjecarin e bardhebluve që u rikthye nga Amerika si një dhuratë nga qielli për ekipin e Dajës. Nuk mund të jetë thjesht koincidencë as fakti që në barazimin 0-0 në derbin me Partizanin për shumëkënd më i miri Ilion Lika me pritjet e tij, një tjetër senator me një të kaluar te Tirana.

Padyshim që ka të bëjë eksperienca, klasi e cilësitë teknike, por Muzaka, Taku e Lika e dinë mirë se ka dhe dicka tjetër, e dinë se grinta ka qenë tipari dallues i kësaj skuadre edhe kur kishte jo pak diferencë me rivalët në aspektin teknik. Në fundin e merkatos bardheblutë vendosën të përforcoheshin me blerjet nga Afrika, me Merveill e Moises që duhet pranuar se nuk kanë luajtur keq, por përforcimi më i mirë i Tiranës po rezultojnë pikërisht ata Taku, Muzaka e Lika, lojtarë që e dinë se sa peshon fanella bardheblu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat