Si i komenton Kozniku katër mungesat e Kroacisë?

Futboll

Si i komenton Kozniku katër mungesat e Kroacisë?

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 4 tetor 2016 Në ora: 18:08
Ardian Kozniku

Kroacia ka katër mungesa të rëndësishme, Luka Modriçin, Ivan Rakitiçin, Marko Pjacën e Dejan Llovrenin. Këto mungesa pa dyshim se shkaktojnë panik për kroatët që kanë para vetes dy ndeshje, me Kosovën me 6 tetor në Shkodër dhe me 9 tetor në Tampere me Finlandën. Përzgjedhësi i kombëtares së Kroacisë, Ante Çaçiç, do të orvatet që t’i zëvendësojë me sukses këto mungesa. Ish-futbollisti i mirënjohur Ardin Kozniku, që i njeh fije e për pe kroatët, komenton këto mungesa. “Këta lojtarët e lartpërmendur janë mungesë e madhe për Kroacinë. Kroacia për momentin kanë lojtar, por jo që mund t’i zëvendësojnë ashtu siç janë Modriç, Rakitiç etj.  Në futboll ndodhin të papritura, për shkak se lojtarët e lënduar janë që luajnë në klubet e mëdha. Lëndimet ekzistojnë dhe kështu edhe i ndodhi Kroacisë në prag të takimit me Kosovën”, tha Kozniku për gazetën kombëtare “Bota sot”. Kozniku këto mungesa i sheh edhe një lehtësim për kombëtaren e Kosovës. “Për Kosovën është një lehtësim sado kudo, sepse nuk luan Rakitiç, Modriç, Pjaca e Llovren. Më vjen keq nga ana sportive, sepse shumë kanë pritur t’i shohin nga afër yjet e futbollit botëror. Megjithatë, Kroacia ka lojtar që do t’i zëvendësojë, por jo  të nivelit si Rakitiç, Modriç.  As kombëtarja kroate as mediat e këtij vendit në asnjë mënyrë nuk e nënçmojnë Kosovën, por kanë një respekt për të.  Mbetet të shihet gjatë lojës se si do të sillet puna dhe si do të rrjedh rezultati. Kosova nuk do të humbë asgjë, edhe nëse pëson, dihet se ka përballë një kombëtare që është në dhjetë ekipet më të forta në botë. Besoj se do të luhet lojë e madhe”, tha Kozniku. A mendoni se Kroacia është në presion nga këto mungesa? “Janë lojtar të mëdhenj, zemra e ekipit, ndryshe është pa Modriçin, Rakitiçin, megjithatë i ka më shumë se 20 lojtarë dhe secili pret ta dëshmojë veten.  Tani përzgjedhësi duhet ta tregoi veten dhe të vendos kë do ta ketë në dispozicion. Mos të harrojmë se Kroacia ka ftuar lojtarët që janë më në formë  dhe secili e pret rastin.  Kroacia udhëton për të fituar në takim me Kosovën, pastaj edhe me Finlandën”, ka thënë Kozniku, ndryshe me Kroacinë është fitues i medaljes së bronztë në Kampionatin Botëror – ‘France 1998’.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat