Kriza e Interit, De Boer fillon të “dridhet”

Futboll

Kriza e Interit, De Boer fillon të “dridhet”

Më: 4 tetor 2016 Në ora: 17:52
De Boer

Dy humbje dhe një barazim në tre sfidat e fundit. Me një këmbë jashtë Europa League dhe rënia e lirë në kampionat. Fitorja me Juventusin u duk se do të ishte një ilaç shumë i mirë për të kuruar plagët e së kaluarës, por ky Inter vazhdon të reflektojë probleme të vjetra. Skuadër me dy fytyra dhe ende e paqartë në filozifi. Interi nuk di të sigurojë vazhdimësi në rezultate që është edhe çelësi i suksesit për një skuadër që synon objektiva madhorë. Disfata e së dielës në Romë ka rikthyer pikëpyetjet rreth trajnerit Frank De Boer, i cili po përjeton një tjetër krizë në stolin zikaltër pasi nuk arrin t’u japë përgjigje shumë pyetjeve. Holandezi po kritikohet nën zë për mënyrën se si e menaxhoi sfidën e “Olimpicos” por aktualisht nuk ka pasur asnjë kontakt me drejtuesit e klubit për të sqaruar situatën.

“Gazzetta Dello Sport” thekson se presidenca ka besim të plotë te aftësitë e tij, por prapa kuintave duket se ka pasur një fërkim. Klubi kërkoi që në ndeshjen e Pragës kundër Spartës, trajneri të mos zgjidhte rotacionin radikal, por De Boer veproi ndryshe. Një pikëpyetje të madhe ngrë edhe çështja “Joao Mario”. Lojtari u aktivizua titullar në Romë por ndoshta trajneri gaboi pasi ai kthehej nga një dëmtim dhe ndoshta do të ishte më mirë që kundër Romës të nisej nga stoli. Tjetër çështje në diskutim është edhe zgjedhja e Santon dhe jo e Nagatomos për të mbuluar një lojtar të shpejtë si Salah. Pas dy humbjeve radhazi, ndeshja e radhës kundër Southampton në datën 20 Tetor është vendimtare për fatin e trajnerit. De Boer rrezikon që të futet në një tunel nga i cili mund të mos dalë më sepse kualifikimi për në fazën tjetër të Europa League mbetet një detyrim për të dhe skuadrën zikaltër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat