Ta befasojmë Kroacinë si Finlandën

Futboll

Ta befasojmë Kroacinë si Finlandën

Nga: Besmir Haxhikadria Më: 4 tetor 2016 Në ora: 16:38
Besmir Haxhikadria

Debate

Po vjen ndeshja e madhe në mes kombëtares së Kosovës dhe asaj të Kroacisë. Përgatitjet shkojnë sipas planit, ndërsa tifozët me kërshëri e presin këtë sfidë. Të gjithë e dimë se kush është Kroacia, çfarë niveli ka dhe sa do të jetë vështirë, por mbi të gjitha pritet të jetë një atmosferë drithëruese. Pavarësisht se Kroacisë i mungojnë yjet, si futbollistët Luka Modriç i lënduar dhe Dejan Lovren, kjo fare pak çon peshë, sepse Kroacia ka lojtarë të nivelit të lartë dhe që secili mund ta zëvendësoi pa telashe qoftë njërin apo tjetrin, mbi të gjitha është më shumë se një lojë futbolli! Pse e them më shumë se një lojë futbolli? Sepse do të prezantohet shteti i Kosovës, do t’i tregojë botës se që moti e kemi merituar të anëtarësohemi në UEFA e FIFA. Se dimë të luajmë, dimë të organizojmë të krijojmë atmosferë dhe do të binden të gjithë. Kosova ka një ekip për lakmi, me djem të ri e të gjithë luftarakë. Të gjithë luajmë me zemër dhe do të orvaten t’i bëjnë ballë e pse edhe mos ta befasojnë kombëtaren e Kroacisë. Dhe sipas renditjes së FIFA-s, Kosova kryeson në grupin I me një pikë. Kështu tani për tani jemi lider dhe kjo renditje do të mbetet në historinë e futbollit botëror. Për faktin se si debutues e nisem me këmbë të mbarë, duke barazuar me rezultat 1:1 në Turku me Finlandën. Ky barazim ka bërë që Kosova të shikohet me një sy tjetër nga krejt bota e futbollit dhe Kroacia e shikon me një sy tjetër dhe vjen me lojtarët më të mirë për këtë sfidë, duke pasur kujdesin e madh, sepse mund të hasë në një lojë befasuese. Shumë herë jemi dëshmitarë të befasive në futboll, dhe pse mos të ndodh edhe tani ani se bastet e ndryshme botërore e japin koeficientin më pak shpresa për Kosovën, por në fakt topi është i rrumbullakët dhe të gjithë luajnë në fushë dhe 11 kundër 11-ve ani se kroatët janë tejet më të mirë, por nganjëherë nuk të prinë fati dhe mund të dështosh dhe lutem që Kroacia mos të ketë fat kësaj radhe. Një barazim për Kosovën do të ishte si fitore, por mbi të gjitha të tregojmë lojë të nivelit të lart dhe t’i kënaqim me mijëra shikues që do të jenë në stadium e mos të themi edhe me miliona pranë ekraneve televizive duke e ndjekur kombëtaren e zemrës. Një ndeshje që do ta ndezë atmosferën  sportive dhe aq më tepër që shqiptarët dhe kroatët janë aleatë të mëdhenj. Dhe si gjithmonë Kroacia na ka ndihmuar në të gjitha sferat, kështu që tani ballafaqohen dy kombëtare dhe është një lojë futbolli dhe që do të ngritë emocione sidomos të kudo që janë shqiptarët, për faktin se është një ndeshje për kualifikimet për Kampionatin Botëror. Të gjithë shpresojmë për një lojë të hapur, të nivelit të lartë dhe të befasojnë djelmoshat tanë sikur në Finlandë.

Autori është gjyqtar i futbollit dhe kryetar i Asociacionit Rinor të Kosovës

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat