Liverpool, Klopp “kryqëzon” Sakho

Futboll

Liverpool, Klopp “kryqëzon” Sakho

Më: 30 shtator 2016 Në ora: 00:33
Sakho

Jurgen Klopp mund të jetë një nga trajnerët më miqësorë me lojtarët e tij, por kjo nuk e pengon që kur është e nevojshme, të imponojë rregulla të hekurta. Për trajnerin gjerman, disiplina vjen në radhë të parë dhe të gjithë lojtarët duhet të jenë të barabartë përpara ligjeve që ai ka shkruar në “Anfield Road”. Gjatë ditëve të fundit në skuadrën e Liverpoolit ka pasur zhvillime interesante që kryesisht mund të ushqejnë mediat sportive në kërkim të skandaleve. I fundit në radhë lidhet me disa postime të mbrojtësit Mamadou Sakho, i cili ka folur në rrjetin social snapchat rreth arsyeve se përse nuk luan me fanellën e “The Reds”.

Gjithçka nisi ditën kur Liverpool u ndesh me Hull City dhe në këtë mënyrë, Klopp ka mbledhur lojtarët duke u bërë me dije se askush dhe asgjë nuk duhet ta heqë vëmendjen e skuadrës nga ndeshjet dhe ekipi duhet të jetë i fokusuar vetëm tek objetivat që trajneri ka vendosur. Mbrojtësi francez nuk luan që prej muajit Prill, ndërsa si pasojë e deklaratave të tij, Klopp ka vendosur ta përjashtojë përkohësisht nga skuadra dhe ai nuk stërvitet që prej rreth një jave. Trajneri gjerman e ka bërë të qartë se Sakho nuk është rasti për t’u bërë shembull por ai nuk do të tolerojë sjellje të ngjashme nga asnjë lojtar.

Një sinjal i qartë se të gjithë duhet të jenë të kujdesshem me rrjetet sociale, t’u qëndrojnë sa më larg dhe të mos përfshihen në situata të tilla pasi Liverpooli nuk i toleron sjellje të tilla. Në këtë situatë, Sakho mbetet një pikëpyetje e madhe. Sezonin e shkuar ai ishte një prej elementëve më të vlerësuar nga Klopp por tashmë është thjesht një tifoz pa pagesë në “Anfield” dhe e ardhmja nuk duket aspak premtuese. Klopp planifikon një të ardhme pa ish kapitenin e Paris Saint Germain.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat