Barazim i “varfër” mes Korabit e Vllaznisë

Futboll

Barazim i “varfër” mes Korabit e Vllaznisë

Më: 24 shtator 2016 Në ora: 23:50
ilustrim

Nuk ka fitues në “Selman Stermasi” pas 90 minutave të ndeshjes Korabi-Vllaznia. Asnjë gol dhe një ndeshje që nuk u ngjit asnjëherë mbi nivelin mesatar, dibranët dhe shkodranët ndajnë nga një pikë që e konfirmon Vllazninë një skuadër të fortë në mbrojtje por pa fuqi në sulm, ndërsa Korabi tregoi limitet dhe konfirmoi faktin se Mërgjyshi nuk ka gjetur ende formulën fituese. Ndeshja nisi me skuadrat e rreshtuara ndryshe pasi Armando Cungu shtoi forcë sulmuese me tre lojtarë ofensivë, ndërsa Mërgjyshi u tregua më i kujdesshëm me skemën 4-1-4-1 ku Plaku ishte forca e vetme në repartin e avancuar. Shkodranët morën  frenat e lojës duke qarkulluar topin në cdo cep të fushës por pa forcë goditëse. Shtubina nga e majta dhe Hebaj nga e djathta mbështetën në Vecaj qëndër por ishte Tafili që rrezikoi në minutën e 8. Mesfushori u bllokua në kohë nga Prifti, i cili i hoqi nga këmbët mundësinë për të shënjestruar kuadratin. Në të 13-ën, Shtubina dhuroi një top të artë në zonë por Vecaj u bllokua nga mbrojtja kundërshtare. 3 minuta më pas ishte Gocaj që nuk arriti të shënjestronte kuadratin me një goditje dënimi. Me kalimin e minutave, dibranët e rritën presionin dhe hodhën vështrimin nga porta e Vllaznisë pasi në të Çela mund të krijonte një rast të rrezikshëm por topi preku rrjetën e jashtme. Rastin më të pastër e krijoi Korabi në sekondat e fundit pas një goditje të Priftit që u devijua nga Plaku por Agovic nuk lejoi që porta e skuadrës shkodrane të prekej duke bërë një pritje vendimtare. Pak sekonda pas rikthimit në fushën e lojës, Vecaj kërcenoi me një goditje nga jashtë zonës, ndërsa në të 58-ën, Korabi pretendoi për një 11 metërsh. Fraksioni i dytë nuk dhuroi pothuajse asnjë emocion deri 8 minuta nga fundi kur Korabi mbeti me 10 lojtarë pasi Prençi pengpo dukshëm Pepën e drejtuar për në zonën e rreptësisë së dibranëve. Për Ardian Beqirin nuk kishte asnjë dyshim, karton i kuq për mbrojtësin dibran. Gjithsesi, skuadra e Cungut nuk arriti t’i shfrytëzonte minutat e mbetura në superioritet edhe pse në minutën e fundit shtesë, Vaitzer iu afrua shumë golit por goditja e tij rezultoi e pasaktë. Nga një pikë që nuk kënaq asnjë skuadër pasi Korabi ngjitet në kuotën e 2 pikëve, ndërsa Vllaznia shkon 6 pikë por nuk ka pësuar ende asnjë gol dhe nuk e njeh ende shijen e humbjes.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat