Trepça është dëmtuar nga gjyqtarët!

Futboll

Trepça është dëmtuar nga gjyqtarët!

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 22 shtator 2016 Në ora: 10:13
Florent Avdyli

Pesë ndeshje pa fitore, është shqetësuese për klubin me renome Trepça nga Mitrovica. Dy barazime e tri humbje, renditja në pozitën e fundit (i 12-ti) me vetëm dy pikë, janë bilanc zhgënjyes për klubin mitrovicas, që pretendon këndelljen sa më shpejtë që është e mundur.  Futbollisti Florent Avdyli, futbollist i Trepçës, tha se në disa takime ishin të pafat, por në dy të parat janë edhe të dëmtuar. “Thënë të drejtën, në dy ndeshjet e para jemi dëmtuar nga referimi, sepse na është anuluar një gol i rregullt, pastaj në ndeshjen e dytë përsëri jemi të dëmtuar, ndëshkohemi me karton të kuq dhe të panevojshëm. Mendoj se një klub si Trepça nuk e meriton një gjë të tillë”, thotë Avdyli për gazetën kombëtare “Bota sot”. Rezultatet e zbehta në pesë javët e para aspak nuk e shqetësojnë futbollistin, për faktin se beson që kanë forcë që gradualisht të ngjiten nga mesi i renditjes.  Në fundjavë do të ballafaqohen si mysafir me Gjilanin shumë të fortë. “Ne në çdo ndeshje hyjmë për fitore, pa marr parasysh me kënd përballemi. Normal se është sfidë e vështirë si të gjitha të tjerat, pasi dihet se Gjilani me përforcimet dhe ecurinë që ka bërë deri tani, faktikisht parashikohet që do të jetë vështirë. Besoj se edhe ne kemi filluar me marr veten, sepse kemi një skuadër të mirë e me lojtarë shumë me përvojë në Superligën e Kosovës dhe besoj në ndonjë rezultat pozitiv”, tha mesfushori.  Futbollisti më tutje tha se skuadrës nuk i mungon asgjë përveç fati sportiv: “Vetëm fati sportiv na mungon. Sepse nga të gjitha ndeshjet e luajtura, fati nuk ishte me ne”. A  besoni se Trepça do të ikë sa më shpejt nga vendi i fundit? “Besoj se nuk e meriton këtë pozitë ku është Trepça. Besoj me skuadrën që ka shumë shpejt nuk do të mungojnë edhe rezultatet e mira. Duhet shtuar se edhe në ndeshjen e fundit kundër Besës treguam që jemi një skuadër e fortë dhe kemi lojtarë cilësor, për çka dëshmon se nuk e meritojmë të jemi aty. Prandaj, shpresoj që edhe fati sportiv të na bashkohet në ndeshjet e radhës dhe t’i kthehemi fitoreve, kësisoj të ngjitemi në renditje”, thotë Avdyli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat