Ch. League kthehet me ndeshjet e grupeve

Futboll

Ch. League kthehet me ndeshjet e grupeve

Më: 13 shtator 2016 Në ora: 00:31
ilustrim

Të martën në mbrëmje luhen tetë ndeshjet e para të fazës së grupeve në Champions League dhe Barcelona klubi më i suksesshëm i sezoneve të fundit në këtë aktivitet e nis edicionin e ri me përballjen ndaj Celtic-ut, ekipit të parë britanik që shënoi emrin në Kupën e Kampioneve. Radhën do ta kenë skuadrat që bëjnë pjesë në Grupet A, B, C dhe D, megjithatë Barcës këtë herë goglat i kanë servirur një short të vështirë duke patur parasysh faktin që në Grupin C klubi katalanas do të përballet gjithashtu edhe me skuadra të tilla si Manchester City e Borussia Monchengladbach. Pas eksperimenteve të Luis Enrique-s në kampionat ku ekipi blaugrana u mund brenda në Katalonjë nga një skuadër si Deportivo Alaves trajneri asturian nuk ka rrugë tjetër përvecse të rreshtojë nga minuta e parë treshen e mrekullive Messi – Suarez – Neymar, ndaj një klubi që gjithsesi ka pësuar plot 6 gola në vizitën e fundit në Camp Nou.

Po për këtë grup në orën 20:45 pas triumfit në Premiership në derbin e Manchesterit City i Guardiolës do të përpiqet të sigurojë 3 pikët e para ndaj klubit gjerman Borussia Monchengladbach, ekip që sezonin e kaluar po në të njëjtin kompeticion kryesonte 2-1 brenda në Etihad, ndeshje të cilën “qytetarët” sidoqoftë e përmbysën në 10′ e fundit, duke fituar 4-2. Grup shumë i fortë konsiderohet gjithashtu edhe Grupi D, ku shorti ka bërë bashkë skuadra të tilla si Bayern, Rostov, PSV Eindhoven dhe Atletico Madrid. 5 herë kampionët e Evropës do të presin në Allianz Arena ekipin e Rostovit që shfaqet kërcënues, pasi për të mbërritur deri këtu nënkampionët e Rusisë eliminuan njëri pas tjetrit Anderlecht-in dhe Ajax-in.

Nën drejtimin e një trajneri ekspert të këtij aktiviteti si Carlo Ancelotti skuadra bavareze padyshim shndërrohet në një prej pretendenteve kryesore dhe në fakt veterani italian pritet të rreshtojë që në fillim një formacion tepër sulmues, ndërkaq në Philips Stadion të Eindhovenit kampionët e Holandës do të kërkojnë të marrin hak ndaj Atleticos së Diego Simeones për atë eliminim të dhimbshëm dhe ndoshta të pamerituar, ku nënkampionët e 2 prej 3 edicioneve të fundit u kualifikuan vetëm pas ekzekutimit të 11-metërshave. Grupi A ofron një tjetër duel tepër të fortë teksa përball në kryqytetin francez dy skuadrat favorite për të kaluar këtë fazë Paris Sg dhe Arsenal, ndërkaq grupi ofron gjithashtu edhe takimin e St. Jakob Park Basel – Ludogorets. Ndeshjet e të martës kompletohen me takimet e Grupit B: Benfica – Besiktas dhe Dynamo Kyiv – Napoli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat