Të japim atomin e fundit kundër Finlandës

Futboll

Të japim atomin e fundit kundër Finlandës

Nga: Luigj Buçaj Më: 5 shtator 2016 Në ora: 11:03
Luigj Buqaj

Debate

Finlandë-Kosovë, është ndeshje historike dhe do të mbetet gjithmonë në arkivat e historisë si ndeshja e parë për kombëtaren tonë në eliminatoret për Kampionatin Botëror – ‘Rusia 2018’. Futbollistët tanë janë para një misioni të vështirë, por gjithsesi do të jenë të gatshëm të lënë shpirtin në fushë për të importuar pikë historike. Sipas raportimeve që kemi nga Helsinki, atmosfera është shumë e mirë, optimizëm të të gjithë, pa dyshim edhe eufori, sepse hapet një faqe e re e historisë së futbollit tonë. Jemi të gjithë të fokusuar nga stadiumi në Turku, ku Kosova përballet me Finlandën. Në anën tjetër, e kemi vëmendjen edhe në stadiumin ‘Loro Boriçi’ në Shkodër, ku Shqipëria luan ndaj Maqedonisë. Gjithsesi se 5 shtatori, dita e hënë, do të jetë një ditë e veçantë, kemi dy kombëtare shqiptare, Shqipëria dhe Kosova që do të luajnë në kualifikime. Për herë të parë në histori të botës sportive, kemi dy kombëtare shqiptare, kjo është më e mira dhe që nuk ka qysh të përshkruhet ndryshe. Kosova synon një debutim të mirë, ndërsa Shqipëria kërkon tri pikë në hapje pas atyre paraqitjeve fantastike në Euro 2016. Vet fakti që tash kombëtarja jonë Kosova është pjesëmarrëse në kualifikimet për në ‘Rusia 2018’ vërtet na bënë të ndihemi krenarë të gjithëve. Mendoj që kundër Finlandës djelmoshat tanë pavarësisht rezultatit jam i bindur që do ta japin atomin e fundit në fushë, sepse ne si shqiptarë e kemi këtë armë. Jam optimist duke e marr parasysh se disa yje janë kthyer ta përfaqësojnë Kosovën, atëherë mendoj që do të nxjerrin një rezultat pozitiv. Ndoshta nuk mund ta quaj befasi sepse shumica e futbollisteve luajnë nëpër ligat më të forta europiane. Prandaj, përvoja në këto gara mund të jetë dobësi pak për Kosovën, por duhet të kenë kujdes nga sulmi i Finlandës. Edhe një fakt mos të harrojmë, në Euro 2016 kemi pasur disa kombëtare që patën befasuar, si Islanda, Uellsi, Republika e Irlandës e Irlanda. Prandaj, në kohën e sotme nuk ka më rival të dobët, kështu që edhe Kosova ani se është në një grup shumë të fortë, i ka gjasat e saja, të paktën t’i sfidojë të mëdhenjtë. Dihet se janë në grupin I me Ukrainën, Kroacinë, Turqinë, Islandën dhe Finlandën, por si thonë gjithmonë topi është i rrumbullakët dhe befasitë sigurisht se mund të jenë të pashmangshme. Sa e shoh, Kosova nuk nënçmohet nga askush, por vlerësohet se mund të jetë një befasi për të gjithë.

Autori është ish-futbollist

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat