Basha: Ta nisim me fitore ndaj Maqedonisë

Futboll

Basha: Ta nisim me fitore ndaj Maqedonisë

Më: 2 shtator 2016 Në ora: 16:54
Migjen Basha

Kombëtarja e Shqipërisë vijon përgatitjet për ndeshjen e parë kualifikuese në Grupin G të “Rusia 2018”. Pas finaleve të “Euro 2016”, përzgjedhësi Gianni de Biasi dhe të tijtë do të nisin një cikël të ri, duke pasur rivalë në grup kampionë të Europës dhe të Botës, si Spanja me Italinë, por edhe Izraelin, Lihtenshtejnin dhe Maqedoninë. Pikërisht ndaj kësaj të fundit do ta bëjë “sefte” Shqipëria, në një ndeshje zyrtare, pas turneut të Francës. Më 5 shtator, në orën 20.45, në “Loro Boriçi” në Shkodër, merr udhë rrugëtimi kuqezi në fushatën eliminatore të Kupës së Botës 2018. “Duhet të vlerësojmë çdo kundërshtar dhe ta nisim me fitore ndaj Maqedonisë. Fitorja në ndeshjen e parë të jep krahë dhe këtë e pamë eliminatoret e kaluara me Portugalinë. Sot fillojmë të studiojmë kundërshtarin. E njohim dhe e dimë që Maqedonia është e vështirë, ndaj saj nuk do të jetë e lehtë. Nëse mendojmë se Maqedonia është kundërshtar i lehtë dhe duhet mundur, atëherë gabojmë rëndë. Nëse futemi në fushë me Maqedoninë, për barazim atëherë jemi të humbur. Objektivi në këto eliminatore varet nga kundërshtari që kemi përballë, ende nuk kemi vendosur për një taktikë të mirëfilltë. Trajnerët flasin me mënyra të ndryshme me median dhe ndryshe me lojtarët. Sulmi ka shënuar pak gola? Mos harroni se kemi pasur kundërshtarë të vështirë në Europian, ndoshta na ka munguar guximi për të sulmuar. Humbjet me Zvicrën dhe Francën nuk i kemi merituar, por është e vërtetë që duhet të shënojmë gola. Nuk është faji i sulmuesve, por i lojës sonë, pasi mesfushorët e krahut duhet të ndihmojnë më shumë. Këtë duhet ta bëjmë të hënën”, ka thënë Basha. Ai tregon pse nuk iu bashkua Kosovës? “Kosova? Gjithmonë kam pasur si objektiv Shqipërinë, prita tre vite e gjysmë për të luajtur këtu, ndaj nuk mendoj asnjë lëvizje tjetër. Lëvizjet drejt Kosovës i konsideroj si zgjedhje personale të gjithkujt”, thotë Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat