Kështu raportohet fitorja Shkëndijes ndaj maqedonasve

Futboll

Kështu raportohet fitorja Shkëndijes ndaj maqedonasve

Më: 29 gusht 2016 Në ora: 11:11
Shkëndija feston fitoren

Shkëndija e Tetovës iu është kthyer me sukses detyrave në kampionat, pasi në kuadër të xhiros së 4 të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë shënoi fitore bindëse 3:1 përballë Pobedës së Prilepit.

Pas eliminimit nga Liga Evropa ku ekipi shënoi sukseset më të mëdha në histori, futbollistët u panë të etshëm për të treguar vendosshmëri për vazhdim të serisë së paraqitjeve pozitive, duke deklasuar ekipin nga Prilepi. Kanosjen e parë me serioze e solli Hasani në minutën e 13-të nga gjuajtja e lirë, mirëpo për pak mbi traversë. Në minutën e 20-të Alimi pason bukur për Ibraimin, i cili ndalet pas kontaktit me portierin mysafir, mirëpo arbitri tregon loja të vazhdojë. Dy minuta më vonë situatë e rrezikshme para portës vendase kur harkimi i Meglenskit nga gjuajtja e lirë kaloi të gjithë futbollistët dhe shkoi shumë pranë shtyllës së Zahovit. Në anën tjetër Todorovski harkoi në zonë, ndërsa goditja e Zhuniorit me kokë shkoi skaj portës, devijuar nga mbrojtësi mysafir. Në vazhdim pas kombinimit nga rivënia këndore Alimi provon, por sërish devijohet topi mbi portë. Alimi do të kanosej edhe pas kësaj rivënie nga këndi, mirëpo fati ishte me miqtë kur topi për pak shkon mbi traversë. Shkëndija vazhdonte të kishte 100% të kontrollit të lojës dhe vazhdimisht shtypte kundërshtarin e mbyllur në pjesën e vet. Në minutën e 34 pas një aksioni të mirë Ibraimi depërton në krahë dhe asiston topin para portës paralel me vijën fatale, mirëpo Zhunior vonohet për pjesë të sekondës.

Moment të bukur solli minuta e 43-të kur Murati godet bukur nga distanca, ndërsa Taleski me majen e gishtërinjëve devijon topin që prek traverën dhe përfundon në rivënie këndore. Pak më vonë provon Alimi, mirëpo goditja e tij bllokohet në rrëmujën e futbollistëve të Pobedës që mbrohej me shumë lojtarë. Në sekondat e fundit të pjesës së parë Hasani bukur vertikalizon për Zhuniorin, mirëpo tentimi i brazilianit ndalet nga portieri Taleski. Me të filluar pjesa e dytë Shkëndija fiton penalti kur aksioni i Hasanit dhe Ibraimit sjell faul në zonë nga Dunimagloski. Kapiteni Hasani nuk gabon nga pika e bardhë dhë shënon për epërsi 1:0 të Shkëndijës. Në minutën e 53-të kombinim i bukur nga gjuajtja e lirë dhe bombë e Ibraimit, që pritet nga Taleski. Shkëndija sulmonte dhe në minutën e 68-të dy kanosje të Ibraimit dhe Todorovskit, goditja e të parit bllokohet, ndërsa e dyta u devijua në rivënie këndore. Shikuesit panë aksion perfekt në minutën e 70-të në regji të Hasanit dhe Ibraimit, ndërsa goditja e Alimit shkoi pak pranë portës. Këto mundësi ishin paralajmërim i asaj që pasoi në minutën e 73-të kur Ibraimi harkoi në zonë për Alimin, i cili pasi krijoi hapsirë godet saktë në rrjetë për dyfishim të rezultatit. Këtu përfundoi historia e kësaj ndeshje dhe trajneri Akrapoviq realizoi tre zëvendësime, duke larguar nga loja Alimin, Ibraimin dhe Zhuniorin, ndërsa në vend të tyre u inkuadruan Bojku, Juffo dhe Imeri, të tre të disponuar për tu dëshmuar për lojë. Vetëm tre minuta në fushë i’u deshën Imerit që të sjellë efekt kur pranon pasim nga Totre, pak me fat arrin të kontrollojë topin dhe me një të djathtë precize realizon për 3:0. Në minutën e 82-të bombë e Juffos nga distanca, topi përplaset në shtyllë. Juffo kanoset edhe në kohën shtesë, mirëpo tani Taleski arrin të shpëtojë. Pobeda megjithatë shënoi golin e nderit në kohën shtesë, kur Sharkoski realizoi saktë një penalti. Në fund tre pikët me meritë mbetën në konton e Shkëndijës, që shënon fitoren e dytë në kampionat, shkruan faqja e Shkëndijes.

Shkëndija-Pobeda 3:1 (0:0)

Stadiumi i qytetit në Tetovë

Shikues: 4 000

Arbitër: Petar Mantev

Arbitra anësorë: Nikolla Karakolev dhe Gjorgji Karajanov

Golashënues: Hasani 48’ pen., Alimi 73’, Imeri 79’ (Shkëndija), ndërsa Sharkoski 90’+3’ pen. (Pobeda)

Kartona të verdhë: Karçeski, Krsteski, Dunimagloski (Pobeda)

Karton i kuq:

SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai, Alimi (Bojku 76’), Cuculi, Ibraimi (Juffo 76’), Totre, Hasani, Murati, Zhunior (Imeri 76’), Todorovski, Vujçiq.

Trajner: Bruno Akrapoviq

POBEDA: Taleski, Ilieski, Meglenski, Kolevski, Petreski (Zdraveski 65’), Geshoski (Cvetanoski 53’), Karçeski, Krsteski, Dunimagloski (Sharkoski 53’), Risteski, Naumoski.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat