Gjimshiti në Serinë B me Avellino, pritet zyrtarizimi

Futboll

Gjimshiti në Serinë B me Avellino, pritet zyrtarizimi

Më: 28 gusht 2016 Në ora: 15:50
Berat Gjimshiti

Avellino në Serinë B italiane do të jetë skuadra e re e Berat Gjimshiti-t. Mbrojtësi i Kombëtares pranoi ofertën e klubit kampanj, ku do të bëhet menjëherë titullar i padiskutueshëm dhe një nga liderët e repartit difensiv.

Edhe pse vendosi ta largojë 23-vjeçarin, Atalanta nuk pranoi ta shiste kartonin e Gjimshitit, edhe sepse lojtari cilësohet një i ri premtues, që mund ti shërbejë projektit të klubit për të ardhmen, shkruan Supersport.

Për këtë arsye, nga ofertat e shumta që kishin, nga Crotone në Serinë A për të vazhduar me Kaiserslautern dhe Freiburg në Gjermani, drejtuesit e klubit zikaltër preferuan formulën e huazimit të lojtarit.

Avellino cilësohet si skuadra ideale ku Gjimshiti mund të luajë me vazhdimësi, të fitojë eksperiencë dhe mbi të gjitha të vazhdojë të përmirësohet në Serinë B italiane, e cila për karakteristikat e skuadrave cilësohet si një prej ligave më të vështira në Europë.

Kuqeziu do të zëvendësojë në qendër të mbrojtjes Biraschi-n, i cili u shit te Genoa për afro 2 milionë euro, megjithatë shqiptari i afruar nga Atalanta ka entuziazmuar ambientin te Avellino.

Me këtë lëvizje Gjimshiti zgjedh që kartoni i tij të mbetet te bergamaskët, ku do të kthehet pas një viti për të luftuar për një vend si protagonist, e ndërkohë nuk humbet kohë, për të qenë në formë optimale, për Kombëtaren, në startin e kualifikueseve të Botërorit 2018.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat