Mbi 30 mijë shikues joshin Vokrrin që Kosova të luajë në Shkup

Futboll

Mbi 30 mijë shikues joshin Vokrrin që Kosova të luajë në Shkup

Nga: Reshat Ibrahimi Më: 26 gusht 2016 Në ora: 12:26
Vokrri në mes

Në ndeshjen e mbrëmshme, mes Shkëndijës dhe Gent, ndër mysafirët e shumtë, të pranishëm në tribunën VIP të Arena “Filipi i Dytë”, në Shkup, ishin edhe kryetari i Federatës Kosovare të Futbollit (FFK), Fadil Vokrri, dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armando Duka. Të dy këta kanë qenë të shoqëruar nga homologu maqedonas, Ilco Gjorgjioski. Kemi mësuar se Gjorgjioski dhe Duka kanë diskutuar edhe për ndeshjen e 5 shtatorit, e cila do të luhet në Shkodër, ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë, e vlefshme për Grupin G kualifikues të “Rusia 2018”. Ndërkohë, këtë takim e ka shfrytëzuar edhe Fadil Vokrri, i cili, siç mësojmë, ka folur me Gjorgjiskin rreth mundësisë që përfaqësuesja e Kosovës të luajë ndonjë ndeshje eliminatore për Kupën e Botës 2018 në Shkup. Vokrri ka qenë i mahnitur me praninë e madhe të publikut, rreth 30 mijë shikues, ndaj dëshira e tij do të ishte që edhe Kosova të luante pranë një publiku të tillë, i cili do t’u jepte një mbështetje të madhe futbollistëve të Albert Bunjakit. Ndryshe, Kosova ka paraqitur në UEFA stadiumin “Loro Boriçi”, në Shkodër, si stadiumin ku do të zhvillonte ndeshjet eliminatore si pritëse, por nuk përjashtohet mundësia që “të kaltrit” të luajnë ndonjë ndeshje në Arena “Filipi i Dytë”, në Shkup.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat