Akrapoviq: Shkëndija do të luajë si zjarr

Futboll

Akrapoviq: Shkëndija do të luajë si zjarr

Më: 24 gusht 2016 Në ora: 18:59
Pamje nga konferenca

Skuadra shqiptare, Shkëndija nga Tetova, është shumë afër kualifikimit historik në fazën e grupeve të Europa Leagues. Kuqezinjve iu mjafton fitorja me rezultat 1:0 dhe të realizojnë ëndrrën e madhe të tyre. Tetovarët pësuan humbje me rezultat 2:1 nga Gent-i, në takimin e parë të play-off-it të luajtur në Gent të Belgjikës. Humbja e parë ishte më shumë në saje të fatit sportiv se sa që e meritoi fitoren kundërshtari. Futbollistët e Shkëndijes janë si asnjëherë më parë të motivuar për fitoren dhe kualifikimin e madh. Trajneri Bruno Akrapoviq dhe kapiteni i skuadrës, Ferhan Hasani, janë optimist para kësaj sfide të vështirë. Ndeshja do të luhet nesër në orën 20.00 në stadiumin ‘Filip II’ në Shkup dhe pritet të jetë i mbushur me tifozë shqiptar sidomos ‘Ballistët’ që t’i japin një përkrahje të madhe skuadrës së zemrës.  “Përshëndetje për gjithë dashamirët e futbollit në gjithë Maqedoninë dhe më gjerë, pasi sa dëgjoj ka shumë interes për këtë ndeshje dhe vetë ky fakt tregon se sa e rëndësishme është kjo ndeshje për ne, për ekipin dhe për botën e futbollit që e duan këtë sport. Kemi krijuar atë situatë që rezultati të jetë i ngushtë, të kemi shanse për të kaluar në grupe dhe do të japim gjithçka nga vetja që atë mundësi ta shfrytëzojmë. Ekipi do të luajë si zjarr, kjo është e sigurt, ndërsa detyra ime është që të kujdesem mos të digjet“, tha Akrapoviq. Hasani është optimist se do ta përmbysin humbjen e sfidës së parë.  “Jemi të vetëdijshëm për vlerën e ndeshjes që do të luajmë, e dimë se do të ballafaqohemi me një kundërshtarë të fortë, por ne e pamë edhe në ndeshjen e parë se ne kemi ekip i cili mund t’u bëjë ballë kundërshtar të fortë si që është Genti. Për ne ky është moment historik, besoj se të gjithë do të japim më të mirën nga vetja, do të japim maksimumin që të arrijmë të kualifikohemi në grupet e Europa Leagues. Ashtu si do të jetë e vështirë kjo ndeshje, ne kemi kaluar tre raunde paraprakisht të vështira ku aspak nuk ishte e lehtë. Si kemi ardhur deri këtu, besoj se do të vazhdojmë edhe më tutje“, u shpreh Hasani. Ai është  pyetur nëse preminë prej 500 mijë eurove do jetë stimulim. “Bonuset gjithmonë janë të mirëseardhura pasi jemi profesionistë, por më besoni jam i sinqertë dhe në këtë moment për ne nuk ka motiv më të madh se sa hyrja në grupet e Liga Evropës”, thotë Hasani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat