Thohir: Icardi vlen më shumë se 60 milionë

Futboll

Thohir: Icardi vlen më shumë se 60 milionë

Më: 30 korrik 2016 Në ora: 18:50
Thohir

Eric Thohir nuk lëshon terren, Mauro Icardi vlen më shumë se 60 milionë Euro. Presidenti i Interit është i qartë kur bëhet fjalë për strategjinë e merkatos në dalje pasi kapiteni i skuadrës mbetet një nga objektivat më të lakmuar të tregut të futbollistëve me Napolin që vazhdon të qëndrojë në radhën e parë për të fituar shërbimet e tij.

“Icardi është një lojtar shumë i rëndësishëm për skuadrën tonë. Ai është kapiteni i Interit. E kemi refuzuar një ofertë prej 60 milionësh sepse të gjithë synojmë të arrijmë shifra më të larta për të. Ne jemi një skuadër e rëndësishme dhe dëshirojmë t’i mbajmë lojtarët më të rëndësishëm. Gjatë dy sezoneve të shkuara kemi afruar 15 emra të rinj, por këtë vit do të jetë e vështirë të bëjmë të njëjtat goditje në merkato”.  

Në vijim të intervistës, numri 1 i klubit kërkon të mos polemizojë në distancë me trajnerin Mancini, i cili nuk e ka përtypur faktin që drejtuesit po tregohen shumë të ngathët në lëvizjet e merkatos.

“Roli i trajnerit në një skuadër është vendimtar. Ne kemi marrëdhënie të mira por ndonjëherë ka edhe fërkime. Duhet të punojmë të gjithë sëbashku për të sjellë emra të rinj pasi tifozët dëshirojnë përherë lojtarë të klasit botëror. Po punojmë sëbashku, ndërsa skuadra duhet të përqëndrohet për t’u bërë sa më shumë dhurata”.

Në fund, Thohir zbulon edhe ëndrrën e tij. Një blerje që Interi momentalisht e ka të pamundur.

“Një lojtar që ëndërroj ta shikoj te Interi në të ardhmen është një lojtar për skuadrën jo për mua. Lojtari që ëndërroj është Messi, një emër që çdo klub do të dëshironte ta kishte në organikë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat