A gaboi Tirana që shkoi në Serbi, tani pritet të përballet edhe me OFK Beogradin

Futboll

A gaboi Tirana që shkoi në Serbi, tani pritet të përballet edhe me OFK Beogradin

Nga: Kemajl Goca Më: 19 korrik 2016 Në ora: 19:09
Tirana

Klubi me renome i futbollit Tirana do të ballafaqohet në miqësore edhe me klubin nga Serbia, OFK Beogradin.  Tirana po përgatitet në Zllatibor të Serbisë dhe ka gjetur edhe disa klube për të zhvilluar miqësore. Para se gjithash, është e çuditshme se si Tirana ka zgjedhur një vend për përgatitje në Serbi, kur kihet parasysh se ka shumë vende më të mira për stërvitje në shtetet e rajonit. E dyta, se si Tirana ka vendosur të luajë miqësore me një klub siç është OFK Beogradi. E treta, të gjithë e dinë historinë e 14 tetorit të vitit 2014 se çfarë i ndodhi kombëtares së Shqipërisë në stadiumin e Partizanit në Beograd në ballafaqim me Serbinë, kur ishte ndërprerë në minutën e 41-të,  për shkak se u sulmuan dhe u rrahën futbollistët shqiptar. Dikush do të thotë se kjo ndeshje është sportive e miqësore, por nuk duhet harruar faktin se çfarë përjetuan djelmoshat tanë në natën e 14 tetorit të vitit 2014. Tiranës si një klub më traditë më së paku iu ka dashur të shkojë në Zllatibor të Serbisë e madje të organizojnë një ndeshje miqësore me OFK Beogradin në javën e ardhshme.  Në postimin e Tiranës bëhen të ditura katër miqësore. “Katër ndeshje miqësore për Tiranën në Zllatibor. Është përcaktuar axhenda e plotë për ndeshjet miqësore që Tirana do të luaj gjatë ditëve përgatitore në Serbi. Bardheblutë kanë përcaktuar katër takime testuese të cilat do të zhvillohen në Zllatibor. Nesër do të luhet takimi i parë me skuadrën malazeze OFK Petrovac. Ky takim do të zhvillohet në orën 18:00 dhe trajneri Ilir Daja do të këtë mundësi të shoh të gjithë kontingjentin e lojtarëve që ka në dispozicion. Të shtunën do të luhet ndeshja e dytë miqësore, sërish me një skuadër malazeze. Grbalj është ekipi me të cilin bardheblutë do të përballen në testin e dytë që do të luhet sërish në Zllatibor. Javën e ardhshme janë përcaktuar edhe dy takime të tjera. Të martën Tirana do të përballet me ekipin e Novi Pazarit, ndërkohë që të premten bardheblutë do të luajnë me OFK Beogradin”, - bëhet e ditur në faqen e klubit të Tiranës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat