Ibrahimi: Partizani meritoi me shumë se barazim me hungarezët

Futboll

Ibrahimi: Partizani meritoi me shumë se barazim me hungarezët

Nga: Kemajl Goca Më: 15 korrik 2016 Në ora: 10:42
FC Partizani nga Tirana

Minuta e 71-të ka qenë përvëluese për Partizanin e Tiranës, kur skuadra hungareze Ferencvaros nga Budapesti barazoi rezultatin 1:1. Barazimi nuk e mërziti aq shumë Partizanin, por e nevrikosi më shumë golin që pësuan si vendas.  Skuadra me renome shqiptare ishte shumë afër fitores, por fati sportiv ia ktheu shpinën në ndeshjen e parë të eliminatorëve të Champions Leagues. Partizani merr pjesë në eliminatoret e Champions Leagues pasi që UEFA e suspendoi për një vjet Skënderbeun nga Korça, kampion.  Mbrojtësi nga Kosova, Labinot Ibrahimi, u paraqit standard për Partizanin, tha për gazetën kombëtare “Bota sot” se do të luftojnë me të gjitha forcat që ta ndëshkojnë ekipin hungarez në takimin e kthimit që luhet në javën e ardhshme përkatësisht me 20 korrik. Ai me bashkëlojtarë treguan lojë shumë të mirë, por mysafirët i ndëshkuan kur më së paku pritej.

“Bota sot”: Partizani barazoi në sfidën e parë, një barazim i merituar apo fati iu tradhtoi?

Labinot Ibrahimi: Nuk ishte barazim i merituar, fati na tradhtoi sepse ne si ekip ishim shumë më të mirë se ekipi kundërshtar. Prandaj nuk ishte barazim i merituar dhe kështu e ka futbolli.

“Bota sot”: Rezultati 1:1, iu mban në presion në takimin e kthimit në Hungari?

Labinot Ibrahimi: Normal se po, sepse goli si mysafir vlen shumë dhe për këtë na mban na presion.

“Bota sot”: Çfarë e veçon Partizanin?

Labinot Ibrahimi: Partizanin e veçon historia! Ka një histori të bujshme në Shqipëri, ka grupin e lojtarëve e shumë gjëra tjera.

“Bota sot”: A mendoni se Partizani është zënë paksa i papërgatitur për garat eliminatore të Champions Leagues, pasi që e fitoi vizën pas suspendimit të klubit Skënderbeu nga ana e UEFA-s?

Labinot Ibrahimi: Pak po, na ka zënë të papërgatitur, mirëpo prapëseprapë ndeshjen që e bëmë, ishte e mirë dhe besojmë që në takimin e kthimit do ta përmbysim rezultatin dhe do ta dëshmojmë që jemi një ekip që meritojmë kualifikimin tutje. Nuk do të dorëzohemi asnjëherë, personalisht do ta jap maksimumin deri në minutat shtesë.

“Bota sot”: A besoni se Partizani mund ta befasojë ekipin hungarez në takimin e kthimit?

Labinot Ibrahimi: Besoj se po. Sepse edhe ne kemi synimet tona dhe do të luftojmë deri në fund.

“Bota sot”: Ku është rreziku më i madh nga hungarezët, megjithatë, cilat janë pikat më të forta të Partizanit?

Labinot Ibrahimi: Pika më e fortë e hungarezëve ishte kapiteni i tyre dhe ata kishin shtatë lojtarë në kombëtaren hungareze, kurse Partizani ka gjithë grupin e fortë dhe harmoninë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat