Shevchenko mesazh për Kombëtaren shqiptare

Futboll

Shevchenko mesazh për Kombëtaren shqiptare

Më: 4 qershor 2016 Në ora: 14:24

Andriy Shevchenko, ish ylli i Milanit dhe Ukrainës, shpreson që Kombëtarja shqiptare të shkoj sa më larg në Euro 2016.

Andriy Shevchenko, ish-sulmuesi i Dinamos së Kievit, Milanit dhe Chelseat, aktualisht zëvendës trajner i Ukrainës, kujtoi se përfaqësuesja kuqezi ka ndryshuar shumë vitet e fundit dhe mund t’u hapë probleme edhe skuadrave më të forta.

Më shumë se 10 vite më parë, Sheva ka qenë kundërshtar i Shqipërisë në fushën e blertë, ndërsa sot kontributin e jep nga bankina.

“Shqipëria ka ndryshuar shumë, skuadra ka bërë progres. Trajneri De Biasi po punon shumë mirë, futbollistët gjithashtu. Ndeshja ishte shumë e ekuilibruar dhe e fortë, ne ishim më pranë fitores dhe ia arritëm. Unë e uroj Shqipërinë që të ecë sa më shumë në europian.”, ka deklaruar Sheva për Super Sport.

39-vjecari, fitues i Topit të Artë, e pranon se Shqipëria është një kombëtare për t’u vlerësuar, pasi ka lojtarë të rëndësishëm që vlerësohen në futbollin ndërkombëtar.

“Shqipëria është një realitet në futbollin europian dhe kjo kuptohet edhe nga emrat e futbollistëve që luajnë në kampionatet të rëndësishme në Europë. Janë vërtet lojtarë shumë të mirë.”, ka theksuar ai.

Në fund Shevchenko nuk harroi të falënderonte tifozët shqiptare, për pritjen që i rezervuan në “Atleti Azurri” të Bergamos.

“Do të doja të shtoja diçka tjetër. Jam pritur shumë mirë këtu nga tifozët shqiptarë dhe për këtë gjest dua t’i falënderoj dhe t’u them që do të mbështes Shqipërinë në “Francë 2016”, ka përfunduar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat