Jareci: Synojmë të nxjerrim arbitra të rinj për Superioren

Futboll

Jareci: Synojmë të nxjerrim arbitra të rinj për Superioren

Më: 9 dhjetor 2021 Në ora: 13:09
Jareci: Synojmë të nxjerrim arbitra të rinj për Superioren

Projekti “Talent & Mentor” që organizohet nga Sektori i Arbitrimit në Federatën Shqiptare të Futbollit ka nisur punën për të zhvilluar edicionin e dytë.

Ky projekt i rëndësishëm konsiston në rritjen e cilësisë së arbitrave-talentë, krijimin e personalitetit të arbitrit, promovimin e arbitrave në Abissnet Superiore si edhe përmirësimin e performancës së arbitrave.

Në projektin që do të zgjasë dy vite, 8 arbitrat-talentë, të cilët janë identifikuar më parë nga Sektori i Arbitrimit do të jenë nën mbikëqyrjen e 6 mentorëve, emra të njohur të arbitrimit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë, si Sokol Jareci, Plarent Kotherja, Albano Janku, Sokol Çekaj, Juxhin Xhaja dhe Enea Jorgji. Të gjithë pjesëmarrësit do të marrin pjesë në seminare praktike dhe teorike përgjatë këtyre dy viteve si dhe do të mbështeten gjatë gjithë kësaj periudhe nga mentorët, të cilët do t’i ndjekin në aktivitete të ndryshme.

Me nisjen e këtij edicioni të dytë, shefi i Sektorit të Arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci, në një prononcim për fshf.org ka folur për këtë projekt, ku theksoi se synimi është që të dalin të paktën 2 ose 3 arbitra të rinj nga ky grup të cilët do të mund të gjykojnë në “Abissnet Superiore” në të ardhmen.“Projekti ‘Talent dhe Mentor’ është pjesë e Sektorit të Arbitrimit, një projekt dyvjeçar, ku mentori së bashku me talentin punojnë së bashku.

Mentori ndjek arbitrin/arbitren në ndeshje të ndryshme, por përpara se të vijmë në këtë projekt, talentet identifikohen me performancat e tyre në aktivitete të ndryshme, duke filluar nga Kategoria e Dytë, te të rinjtë dhe më pas te Kategoria e Parë. Arbitrat që sot kemi në rolin e talenteve janë arbitrat e Kategorisë së Dytë dhe Kategorisë së Parë, të identifikuar më herët nga Sektori i Arbitrimit. Po të marrim rezultatin e këtij projekti, po ju them që arbitri i cili gjykoi ndeshjen Partizani – Teuta ishte produkt i këtij projekti kështu që synojmë edhe për grupin që tashmë e kemi, të paktën të nxjerrim sa më shpejt në ‘Abissnet Superiore’ 2 ose 3 arbitra të këtij grupi”, – tha Jareci.

Gjithashtu, edhe ish-arbitri i njohur shqiptar Sokol Çekaj vlerësoi këtë projekt që do të ndihmojë në perfeksionimin e dijeve të arbitrave shqiptarë. “Ndihem shumë mirë në pozicionin e mentorit. Kjo falë edhe eksperiencës sime ndër vite si arbitër dhe kjo risi që merr Federata e Futbollit së bashku me Sektorin e Arbitrave është një gjë e mirë për të ndihmuar arbitrat e rinj që të perfeksionojnë dijet dhe të kenë sa më shumë mundësi dhe të shfaqen sa më shumë në fushën e lojës”, – u shpreh Çekaj.

Kejsi Tafili është një nga arbitret shqiptare që është identifikuar si talent dhe që do të marrë pjesë në këtë projekt dyvjeçar. Në një prononcim për Fshf.org, ajo u shpreh se ky projekt do ta ndihmojë për t’u rritur profesionalisht si dhe për të arritur synimet që ka. 

“Së pari mendoj që ky projekt ‘Talent & Mentor’ do të na rrisë më shumë profesionalisht dhe pse jo, nëse deri dje kam arbitruar në Kategorinë e Parë dhe të Dytë, mendoj që në të ardhmen, të arrij të arbitroj ndeshje ndërkombëtare. Pse jo, të synoj edhe për stemën e FIFA-s”, – tha Tafili.

Edhe Daniel Vrapi është një arbitër i ri, i cili është pjesë e Kategorisë së Parë dhe të Dytë. Në këtë projekt ai do të jetë nën tutelën e Sokol Jarecit, ndërsa falënderon Federatën për këtë mundësi dhe shpreson që në të ardhmen të jetë pjesë e gjykimeve në “Abissnet Superiore”. “Dua të falënderoj Federatën që na e ka dhënë si mundësi të jemi pjesë e këtij projekti, që është afatgjatë, gati dyvjeçar dhe na bën që të jemi sa më të aftë në profesionin tonë.

Unë gjykoj për momentin në Kategori të Parë dhe në Kategori të Dytë. Ideja e këtij projekti është që ne që jemi evidentuar si arbitra-talentë të kemi mundësinë që të zhvillohemi sa më tepër në profesion.

Që do të thotë, në momentin që ne gjykojmë, të kemi mundësinë të japim vendime sa më të sakta, sa më korrekte për mbarëvajtjen e futbollit. Raporti ‘Mentor – Arbitër’ ka të bëjë me mësimin tonë, duke na orientuar, duke na dhënë përparësi që të gjykojmë sa më mirë. Në të ardhmen synoj që të jem edhe pjesë e ‘Abissnet Superiore’, duke u përmirësuar sa më tepër në gjykim dhe duke patur mundësi që të gjykoj në nivele sa më të larta”, – u shpreh Vrapi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat