Teuta beson në fitore

Futboll

Teuta beson në fitore

Më: 22 korrik 2021 Në ora: 12:15
Teuta beson në fitore

Teuta u eliminua nga Champions League që në raundin e parë, pritej diçka më tepër kundër Sheriff Tiraspolit, por në fund të fundit nuk është dramë nëse të largon nga kompeticioni kryesor europian një klub me më shumë përvojë në këto evenimente, siç është Sheriffi, megjithatë tani nis rrugëtimi i vërtetë i “djemëve të detit” në Europë, sepse kundërshtarët janë më të përballueshëm në “Conference League”.

Këtë të enjte në “Niko Dovana” në orën 19:00 do të zbresë Inter de Escaldes, skuadra nga Andorra që në pak kohë vjen sërish në Shqipëri, pasi u eliminua nga para-eliminatoret e Championsit për meritë të Prishtinës, një takim që u zhvillua në Elbasan.

Kundërshtari nuk është i nivelit më të lartë, gjithsesi fjala nënvlerësim nuk duhet të llogaritet aspak tek ekipi ynë.

Trajneri Martini në krahasim me dy ndeshjet ndaj Tiraspolit nuk ka dy lojtarët anësorë të sulmit, golashënuesi më i mirë i sezonit të shkuar Dejvi Bregu u transferua tek Boluspor, kurse Lorenco Vila është i dëmtuar.

Gjasat janë që Kallaku të jetë në rolin e fantazistit, kurse Seferi e Gruda të mbulojnë krahët me Gjorgjiev në majën e sulmit. Inter Club de Escaldes ka fituar dy titujt e fundit kampion në Andorrë dhe nuk ka asgjë për të humbur, përkundrazi ka shansin të bëjë surprizën, me krahun tjetër mundësia është e artë për Teutën për të shkuar larg sepse nëse eliminon në këto dy takime ekipin nga Andorra, atëherë do të ketë përballë irlandezët e Shamrock Rovers. Sfida mes Teutës dhe Inter Escaldes do të zhvillohet këtë të enjte në orën 19:00 dhe do të transmetohet live në Digitalb Supersport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat