Daniel Ricciardo, “pole” dhe rekord në pistën e Montekarlos

Formula 1

Daniel Ricciardo, “pole” dhe rekord në pistën e Montekarlos

Më: 26 maj 2018 Në ora: 16:16
Daniel Ricciardo

Daniel Ricciardo me Red Bull ka siguruar “pole position” sot në pistën e Montekarlos, të vlefshme për garën e Çmimit të Madh të Monako në Formula 1. Piloti australian dha kohën 1’10”810, një kohë rekord në këtë pistë, duke qenë më i shpejti, i pakapshëm nga rivalët. Ricciardo dha kohën më të shpejtë në të trija sesionet, duke e nisur garën nesër nga vija e parë e startit (ora 15:10). Në krah të tij do të jetë piloti gjerman i Ferrarit, Sebastian Vettel, ndërsa në vijën e dytë të nisjes do të jenë Lewis Hamilton (i treti me Mercedes) dhe Kimi Raikkonen (i katërti me makinën tjetër Ferrari). Pas tyre, deri në vendin e dhjetë, u klasifikuan Bottas (Mercedes), Ocon (Force India), Alonso (McLaren), Sainz (Renault) dhe Gasly (Toro Rosso).

Në përfundim të sesionit të parë të provave zyrtare, u eliminuan Hartley (Toro Rosso), Ericsson (Sauber), Stroll (Williams), Magnussen (Haas) dhe Verstappen (Red Bull). Ky i fundit nuk zbriti fare në pistë, nuk dha kohë, pasi në provat e lira u përplas me muret mbrojtëse, duke dëmtuar makinën. Inxhinierët u përpoqën që ta riparojnë atë në kohë, por ishte e pamundur (do ta nisë garën nga vendi i fundit). Ndërsa më i shpejti ishte piloti tjetër i Red Bull, Daniel Ricciardo, që komandoi edhe në sesionin e dytë. Në këtë sesion u eliminuan Hulkenberg (Renault), Vandoorne (McLaren), Sirotkin (Williams), Leclerc (Sauber) dhe Grosjean (Haas).

Gara e nesërme parashikohet e bukur, pasi në pistën qytetase dhe të ngushtë të Montekarlos aksidentet janë gjithnjë të pranishme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat