Vettel: Ende nuk jam përshtatur me makinën

Formula 1

Vettel: Ende nuk jam përshtatur me makinën

Më: 29 mars 2018 Në ora: 17:28
Sebastian Vettel

Piloti i Ferrarit, Sebastian Vettel, e nisi këtë edicion të Formulës 1 në mënyrën më të mirë të mundshme. Piloti gjerman triumfoi në Çmimin e Madh të Australisë duke mposhtur rivalin kryesor për titull, kampionin në fuqi Lewis Hamilton. Pavarësisht suksesit në Melbourne ferraristi nuk është plotësisht i kënaqur me performancën e njëvëndëshes së tij dhe sinjalet janë të qarta për drejtuesit teknik të skuadrës italiane. “Ende nuk jam përshtatur me makinën, nëse nuk po provoj ato ndjesi që kam nevojë atëherë situata ndërlikohet. Vitin e kaluar në këtë periudhë kishim më shumë ritëm, mendoj se Ferrari ka potencial të pakufijshëm”, tha Vettel. Të duelosh me makinat Mercedes është mjaft e vështirë dhe për këtë arsye duhet të kesh në dispozicion njëvëndëshen e përsosur. Vettel nuk ka ende besim të plotë tek Ferrari i tij. “Detyra jonë është të zgjidhim problemet që kemi, por të them të drejtën do kisha dëshirë që të isha në një situatë më të mirë me Ferrarin tim. Nëse ti ke besim tek makina nuk mendon dy herë dhe vetëm i jep gaz, ndërsa unë nuk e kam ende këtë besim. Duhet një makinë e përsosur për të luftuar me Hamilton”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat