Hasanaj, me kushte modeste, rezultate kulmore

Formula 1

Hasanaj, me kushte modeste, rezultate kulmore

Më: 3 dhjetor 2017 Në ora: 13:01
Blerand Hasanaj

Në kohën kur konkurrenca po rritet vazhdimisht dhe shpenzimet janë gjithnjë e më të mëdha, Blerandi po përgatitet për një kampionat tjetër të suksesshëm

Blerand Hasanaj është njëri nga automobilistët më të mirë në Kosovë në periudhën e pasluftës. I pasionuar pas shpejtësisë dhe auto sportit, idol e ka legjendën braziliane Ayrton Senna. Që nga viti 2012 është pjesë e garave që zhvillohen në Kosovë dhe brenda kësaj kohe, tri herë është shpallur kampion. “Si 12-vjeçar kam nisur të garojë  në karting, ndërsa pjesë e kampionatit të Kosovës jam që nga viti 2012. Do të isha inkuadruar edhe më herët, por për disa vjet nuk ka pasur organizime nga Federata”, shprehet Hasanaj.

Sukseset e tij kanë mundur të jenë edhe më të mëdha, por në dy kampionate nuk pati mundësi të marrë pjesë. “Në vitin 2015  kam pauzuar për shkak të pamundësisë materiale, ndërsa në vitin 2016 mungova, sepse Ministria e FSK-së më dërgoi në SHBA në një trajnim profesional”, tregon Blerandi.

Megjithëse vetura e tij është shumë modeste në krahasim me ato që i kanë disa nga rivalët e tij, Blerandi për asnjë moment nuk ndihet inferior, përkundrazi në shumicën e rasteve e ka fjalën kryesore. “Unë kam garuar me Opel Kadett GSi të vitit 1989. Megjithë kushtet jo të mira, deri tani tri herë jam shpallur kampion, më 2012, 2014 dhe 2017”, bën të ditur Hasanaj.

Gjatë karrierës së tij ka pasur momente të mira, por sigurisht edhe të vështira. “Momentet më të mira i kam pasur në vitin 2014. Atë vit isha kampion në diciplinën malore, në sllallom, u shpalla vozitësi më i mirë i vitit, ndërsa isha edhe në mesin e dhjetë sportistëve më të mirë të vitit. Me një fjalë shkëlqeva në të gjitha sferat”, kujton Hasanaj, duke shtuar: “Kam pasur edhe momete të vështira. Në vitin 2013 kam udhëhequr në pjesën më të madhe të  kampionatit, ndërsa për shkak të problemeve teknike nuk mora pjesë në dy garat e fundit që ndikoi me humbjen e titullit të kampionit. Po ashtu, edhe në vitin 2015 nuk mora pjesë në gara për shkak të mungesës së kushteve”.

Në kohën kur konkurrenca po rritet vazhdimisht dhe shpenzimet janë gjithnjë e më të mëdha, Blerandi po përgatitet për një kampionat tjetër të suksesshëm.  “Jam duke e përgatitur një Opel Astra F të gjeneratës së parë, që është më modern se Kadetti klasik. Po shpenzoj shumë, por shpresoj në përkrahjen e ndonjë sponsori. Veturën po e përgatis me pajisje të homologuara, pasi shpresoj të jem pjesëmarrës edhe në garat në Evropë“, ka thënë Hasanaj në fund.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat