Lorenzo: Jemi më të shpejtë

Formula 1

Lorenzo: Jemi më të shpejtë

Më: 14 mars 2017 Në ora: 19:33
Jorge Lorenzo

Testet e fundit në Katar kanë rikthyer buzëqeshje te piloti spanjoll i Ducatit, Jorge Lorenzo, që beson se do të bëjë një paraqitje të mirë këtë sezon në MotoGP. Ai është renditur i katërti në ditën e fundit të provave, ndaj mezi pret të provojë sërish motorin italian, por këtë herë në garën e parë sezonale, më 26 mars. “Testet e fundit ishin shumë pozitive. Në përgjithësi, testet në Katar shkuan mirë dhe kuptuam se motori është në rritje. Kemi ende shumë punë për të bërë, sidomos në gjetjen e ritmit të garës, por kohët janë përmirësuar dhe kjo tregon se jemi më të shpejtë. Shpresoj që në garën e parë sezonale në Katar të arrijmë një rezultat të mirë”, tha Lorenzo. I kënaqur nga testet është edhe shoku i tij i skuadrës, Andrea Dovizioso, që duket se e ka më të lehtë të pilotojë motorin Ducati, duke qenë se ka vite që e piloton atë. Madje kohët e tij janë më të mira se sa të Lorenzos, ndaj italiani konfirmon se në garën e parë sezonale synon podiumin. “Këto teste të fundit ishin më të mira, pasi çdo ditë përmirësoheshim dhe testuam shumë variante për garën e parë sezonale. Ishim më të shpejtë krahasuar me testet e zhvilluara në Malajzi e Australi, ndaj presim një rezultat të mirë në Botëror”, u shpreh Andrea Dovizioso, që në testet e zhvilluara ka qenë gjithnjë më i shpejtë se sa shoku i skuadrës. Edicioni i ri pritet me emocione nga shumë pilot, por disa janë me synime që të luftojnë për titullin e kampionit të botës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat