Hamilton fiton në Meksikë, pret gabimin e Rosberg

Formula 1

Hamilton fiton në Meksikë, pret gabimin e Rosberg

Më: 30 tetor 2016 Në ora: 23:07
Lewis Hamilton

Lewis Hamilton e ka ndezur edhe më shumë luftën për titullin kampion në Formula 1, pasi në dy gara ka rikuperuar mjaftueshëm pikë për të vendosur nën presion Nico Rosbergun, pretendentin kryesor për fronin.

Në ndalesën e fundit në Meksikë, piloti britanik i Mercedesit dominoi të gjithë cirkuitin dhe rihapi diskutimin për botërorin me 19 pikë më pak se shoku i skuadrës që kryeson renditjen.

Hamilton preku finishin i pari, kurse pas tij arriti Nico Rosberg.

Pati kaos dhe polemika në xhirot e fundit mes Verstappen dhe Sebastian Vettel. Talenti i Red Bull pengoi gjermanin e Ferrarit dhe pasi mbylli garën në vendin e tretë, u penalizua me pesë sekonda. Kështu Sebastian Vettel rigjeti podiumin nga dhurata e komisarëve.

Gara e radhës e Formula 1 do të jetë në Interlagos e shumëkush vendos bast se Nico Rosberg tani do ta ndjejë edhe më shumë presionin për të bërë gabime eventuale.

Megjithatë, kontrollin e situatës e ka gjermani. Në rast se fiton në Brazil pas dy javësh, Rosberg do jetë kampion i ri i botës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat