Hamilton, pole position në Monza, dorëzohet Rosberg

Formula 1

Hamilton, pole position në Monza, dorëzohet Rosberg

Më: 3 shtator 2016 Në ora: 17:09
Hamilton

Lewis Hamilton jep sinjale të rëndësishme nga pista e Monzas ku regjistroi kohën më të shpejtë në provat zyrtare dhe vendin e parë në nisje për garën e Çmimit të Madh të Italisë. Nico Rosberg e humbi betejën me shokun e skuadrës në sekondat e fundit të kronometrimit pasi nuk gjeti ritmin ideal për të sfiduar britanikun që do të kërkojë të ruajë kreun edhe gjatë garës për të mos humbur më terren në garën për titullin kampion. 1.21.123 ishte koha që regjistroi kampioni i botës me Mercedes, duke lënë pas Rosberg me rreth gjysmë sekonde më shumë ndërsa në radhën e dytë do të nisen Vettel dhe Raikkonen.

Me rreth një sekondë më shumë se skuadra Mercedes, Ferrari duket se është ende larg skuadrës gjermane, por gjithsesi me një hap të madh përpara sepse Bottas me Williams u rendit në vendin e pestë, ndërsa makinat Red Bull të Ricciardo e Verstapen regjistruan kohën e 6 dhe të 7. Hamilton i kryesoi provat gjatë gjithë ditës së shtunë, çka konfirmon momentin e tij pozitiv dhe përshtatjen më së miri me pistën e Monzas. Zhgënjimi më i madh i ditës së shtunë rezultoi Felipe Massa. Braziliani i Williams që do të tërhiqet nga Formula 1, sezonin e ardhshëm, nuk arriti të renditej mes 10 të parëve. Ky ishte pole position i 7 sezonal për Hamilton që vazhdon të jetë lider i botërorit dhe ka në dorë mundësinë e artë për të hedhur një tjetër hap të sigurt drejt titullit kampion.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat