Vettel: Nuk ka vend për panik

Formula 1

Vettel: Nuk ka vend për panik

Më: 11 korrik 2016 Në ora: 18:30
Sebastian Vettel

Sebastian Vettel është në vendin e pestë me 98 pikë në renditjen e përgjithshme ose ka 70 pikë më pak se lideri, Nico Rosberg i Mercedesit. Vettelit nuk po i shkon mbarë ky kampionat, nuk po arrin rezultatet e dëshiruara dhe si pasojë e kësaj ka ngecur edhe në klasifikim. Piloti gjerman i Ferrarit, ka qenë shumë i zhgënjyer pas garës në Silverstone për Çmimin e Madh të Britanisë në Formula 1. Nuk kishte si mos të ishte i zhgënjyer, për faktin se u rendit në pozitën e 9-të. Një pozitë e palakmueshme dhe që e dëshpëroi shumë Vettelin, me shpresë se do të jetë më i mirë në garën e ardhshme që mbahet me 24 korrik në Hungari. “Nuk ishte një garë e mirë për ne dhe jemi të zhgënjyer. Edhe pse bëmë disa zgjedhje të ndryshme në goma, nuk patëm fat. Bëra disa gabime në pistë prej pistës së lagur dhe humba shumë kohë. Nuk ishte dita ime me fat edhe pse u përpoqëm shumë, pasi vuajtëm shumë në pistë”, ka thënë Vettel, që këtë sezon nuk ka arritur ende asnjë fitore. Vettel në renditje është parakaluar edhe nga shoku i tij i skuadrës, Kimi Raikkonen, që u rendit në vendin e pestë. “Megjithatë, duhet të shohim edhe anët pozitive të kësaj gare dhe mbi to të ndërtojmë e punojmë për garën e ardhshme. Nuk ishim të shpejtë sa duhet, për të rivalizuar me Mercedes apo Red Bull. Por nuk ka vend për panik, madje duhet të besojmë më shumë te puna e njëri-tjetrit. Duhet të mësojmë shumë nga gabimet tona”, tha Vettel. Piloti i Ferrarit as vetë nuk e kishte imagjinuar se do t’i kalojnë dhjetë gara pa fitore, por mbetet e shpresë se do ta bënë sefte në Hungari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat