Irena Toçi shfaqet për herë të parë si aktore, filmi pjesë e konkurrimeve ndërkombëtare

Filma

Irena Toçi shfaqet për herë të parë si aktore, filmi pjesë e konkurrimeve ndërkombëtare

Më: 6 maj 2018 Në ora: 13:20
Irena Toçi

Botuesja e njohur Irena Toçi është bërë pjesë e filmit më të ri artistik me metrazh të shkurtër “Poeti”, me skenar nga Ylljet Aliçkaj e regji të Atina Laços.

E vendosur në hyrje të filmit, për Irena Toçin është hera e parë që shfaqet në një film si aktore duke u cilësuar edhe si një surprizë për publikun pjesëmarrja e saj në ekranin e madh.

Irena Toçi botuese e shtëpisë botuese TOENA pjesëmarrëse në filmin ”Poeti” në një pronocim për ATSH-ën u shpreh se, “… është tunduese kur të propozojnë: A dëshiron të marrësh pjesë në një film artistik? – dhe mendon, pse jo. Ky ishte momenti në të cilin unë vendos të luaj në një film artistik me skenar të shkrimtarit Ylljet Aliçka. Në filmin që mban titullin ”Poeti” unë luaj rolin e botueses”.

”Pasi thashë po u pendova, sepse botuesja e skenarit nuk ngjante fare me mua, nuk ngjante me karakterin tim dhe nuk ngjante me botuesen e botimeve TOENA”, – u shpreh botuesja Toçi.

Ajo shtoi se ”eksperienca ishte e jashtëzakonshme, shumë e bukur për më tepër që në sekuencat në të cilat unë jam e përfshirë në këtë film, sigurisht jo në rolin kryesor, unë luaj përkrah aktorit kryesor të këtij filmi, i cili është i mirënjohuri Alfred Trebicka. Ai mban peshën kryesore në film dhe m’a lehtësoi shumë punën e aktrimit”, – tha Irena Toçi.

Në fund ajo u shpreh se ”… kjo eksperiencë më dha një kënaqësi të madhe dhe mendoj ta ripërsërisë me skenaristin Ylljet Aliçkën”.

Filmi artistik “Poeti” ka për subjekt fatin e një poeti të talentuar, i cili përballë vështirësive ekonomike në kushtet e reja të ekonomisë së tregut ka gjetur si mënyrë mbijetese, duke bërë poezi ngushëllimi dhe lajmërime poetike vdekjesh.

Aventurat e këtij poeti i cili ka dhe suksese por edhe dështime e bëjnë situatën në film sa tragjike aq edhe komike.
Alfred Trebicka ka portretizuar personazhin me të gjithë ngarkesën metaforike që mbart filmi. Edhe Romir Zalla i përfshirë në një fragment të filmit ka krijuar një dialog të besueshëm me poetin.

Filmi “Poeti” me metrazh të shkurtër është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, i cili do bëhet pjesë e konkurrimeve ndërkombëtare në festivale të ndryshme të kinematografisë./ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat