Filmat e preferuar të Krishtlindjes - Bota Sot
Filmat e preferuar të Krishtlindjes

Filma

E hënë, 19 shkurt 2018

Filmat e preferuar të Krishtlindjes

Më: 24 dhjetor 2017 Në ora: 10:12
Ilustrim

Çdo vit në periudhën e festave të fundvitit shtohet interesi për filma të vjetër me temën e Krishtlindjes. Sipas Institutit të Filmit Amerikan, drama familjare e vitit 1947 Është Një Jetë e Mrekullueshme kryeson në listën e filmave më të preferuar të Krishtlindjes. Korrespondentja Penelope Poulou bisedoi me Todd Hitchcock, Nëndrejtor i Institutit të Filmit Amerikan në qytezën Silver Spring pranë Uashingtonit ku ndodhet edhe një kinema e këtij instituti. Ajo e pyeti se cilët filma preferohen në këtë sezon dhe çfarë karakteristikash të përbashkëta kanë.

Filmi i vitit 1947 Është Një Jetë e Mrekullueshme, realizim i regjisorit Frank Capra, rrëfen historinë e George Baileyt, një burrë zemërgjerë që përfundon në falimentim. Kur George-it i mërzitet jeta dhe uron që më mirë të mos kishte lindur, para syve i shfaqet një engjëll, Clarence.

Ai përmbush dëshirën e George-it duke i treguar si do të kishin rrjedhur ngjarjet sikur ai të mos kishte lindur kurrë. George-i e kupton se sa e zymtë është ekzistenca për banorët e qytezës Bedford Falls pa të, e ndjen sa e shtrenjtë është jeta dhe vendos të kthehet pranë familjes. Miqtë e të dashurit mblidhen për ta ndihmuar dhe e nxjerrin nga falimentimi. Për rolin e tij, Clarence merr krahët e engjëllit.

Todd Hitchcock, Nëndrejtor i Qendrës Kulturore të Institutit të Filmit Amerikan në Silver Spring pranë Uashingtonit, thotë se filmi fillimisht nuk pati sukses në kinema, por gjatë viteve filloi të transmetohej në televizion dhe gradualisht rreth 30 milionë njerëz e ndiqnin transmetimin.

“Që nga koha kur brezi im po rritej në vitet ’70 dhe ’80, ky film ka fituar popullaritet më të madh. Është krijuar tradita që njerëzit ta shohin familjarisht të paktën një herë në vit para Krishtlindjes. Tani është bërë e mirëqenë dhe filmi konsiderohet një realizim klasik për Krishtlindjen”.

Filmat e Krishtlindjes pëlqehen pjesërisht nga nostalgjia, por edhe nga forca e mesazhit që përcjellin. Filmi Mrekulli në Lagjen 34, i regjisorit George Seaton, një tjetër titull i preferuar nga vitet 1940, tregon se si Baba Viti futet në punë në një dyqan rrobash për t’i treguar menaxheres, një grua e divorcuar dhe me fëmijë, se Krishtlindja ka një kuptim më të thellë se thjesht dhuratat dhe shpenzimet.

“Një pjesë e madhe e filmit rrëfen ankthin që i kap njerëzit pasi Krishtlindja është tepër e komercializuar dhe i vë njerëzit nën presion për të blerë dhurata”.

Stresi nga komercializimi i Krishtlindjes ka shërbyer si frymëzim edhe për filma të tjerë si realizimin miltiplikativ Krishtlindja e Charlie Brown, i cili gëzon aq popullaritet saqë tani konsiderohet nga filmat klasikë të sezonit.

“Ka shikueshmëri të madhe dhe nuk ka ndryshuar gjatë viteve. Një brez që është rritur duke e ndjekur në televizor tani ka fëmijë që e ndjekin”.

Në vitin 1983, u realizua një tjetër film klasik. Subjekti i filmit Histori Krishtlindjet shtjellohet në vitet 1940 dhe tregon historinë Ralphie-t, i cili përpiqet të bindë prindërit dhe Baba Vitin se dhurata ideale për Krishtlindje është një pushkë me saçme.

“Filmi ushqehet direkt nga nostalgjia dhe e manipulon lehtë këtë ndjenjë. Filmi sjell nuancat e komedisë së viteve 1980 por me stilin e viteve 1940, 1950. Të gjitha këto përshtaten në mënyrë ideale me temën e Krishtlindjes, prandaj është bërë një ndër filmat e preferuar të sezonit”.

Zoti Hitchcock thotë se shfaqja e këtyre filmave në kinema si Qendra Kulturore e Institutit të Filmit Amerikan në Silver Spring është një ndër mënyrat për të ruajtur interesimin e shikuesve, ashtu siç ka ndodhur me filmin Është Një Jetë e Mrekullueshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test