Film për rastin ‘Monstra’!

Filma

Film për rastin ‘Monstra’!

Më: 26 janar 2017 Në ora: 13:12
Ilustrim

Filmi i ri maqedonas “Kur dita s’kishte emër” i Teona Strugar Mitevska në produksion të “Motrat dhe vëllai Mitevski” i mbështetur nga Agjencia për film e Republikës së Maqedonisë, premierën do ta ketë në shkurt në Festivalin prestigjioz të filmit në Berlin, si pjesë e programit Panorama.

Producentja Labina Mitevska në konferencën e sotme për shtyp theksoi se që të jesh pjesë e Berlinales, i cili është një prej festivaleve më të mëdha të filmit në botë, paraqet sukses të madh.

“Kur dita s’kishte emër” është titulli i filmit të frymëzuar nga vrasja e katër fëmijëve dhe një të rrituri te Liqeni i Smillkovës afër Shkupit, në vitin 2012, me të cilin regjisorja maqedonase Teona Mitevska do të marrë pjesë në Festivalin e filmit në Berlin, që do të mbahet prej 9 deri më 19 të muajit të ardhshëm.

Premiera e filmit do të shfaqet në kuadër të programit “Panorama”, ku do të prezantohen 51 filma nga 43 vende, do të jetë më 14 shkurt në sallën ku bëhet edhe hapja e “Berlinales” dhe që ka 780 ulëse.

“Kur dita s’kishte emër” është filmi i tretë i Teona Mitevskës dhe produksionit “Motrat dhe vëllai Mitevski” që shfaqet në këtë festival, pas filmave “Unë jam nga Titov-Velesi” më 2008 dhe “Gruaja që i fshiu lotët” më 2012.

Filmi, buxheti i të cilit është rreth 1,1 milionë euro është mbështetur nga “Euroimage”, ndërsa Agjencia për film e Republikës së Maqedonisë ka ndarë shumë maksimale prej 30 milionë denarëve (500 mijë euro). Koproducentë të filmit janë produksionet “Vertigo” nga Sllovenia dhe “Entre Chien” nga Belgjika.

Një nga rolet kryesore interpreton motra e regjisores, Labina Mitevska, e njohur për rolin e vajzës së re shqiptare në filmin e famshëm “Para shiut” të Millço Mançevskit.

Një ditë para Pashkëve ortodokse, më 12 prill 2012, te Liqeni i Smillkovës në perferi të Shkupit u vranë 4 fëmijë maqedonas që kishin dalë për peshkim dhe një i rritur. Për vrasjen me burg të përjetshëm u dënuan 6 shqiptarë të Maqedonisë, por shumëkush akoma mendon se ata nuk janë fajtorët e vërtetë dhe kërkojnë hetime të reja dhe gjykim të ri të pavarur, duke përfshirë edhe Prokurorinë Speciale Publike.

Videoja në vijim e përvetësuar nga TV 21, tregon trajlerin e filmit i cili do të merr pjesë në festivalin prestigjoz. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat