Inspektohen punimet në asfaltimin e rrugës në Sojevë - Bota Sot
Inspektohen punimet në asfaltimin e rrugës në Sojevë

Ferizaj

E diel, 19 gusht 2018

Inspektohen punimet në asfaltimin e rrugës në Sojevë

Më: 10 gusht 2018 Në ora: 15:48
Sojevë

Me përmirësimin e kushteve klimatike, kanë rinisur edhe punimet në projekte të ndryshme infrastrukturore në Ferizaj.

Kështu njofton zyra për informim e kësaj komune e cila ka treguar se sot gjatë ditës, kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, bashkë me drejtorin e Drejtorisë së Infrastrukturës, Arbër Bytyqi dhe bashkëpunëtorë të tjerë, kanë inspektuar punimet e asfaltimit të rrugës në fshatin Sojevë, gjegjësisht në lagjen e Dragoshëve.

Për cilësinë e punimeve, vlerësim pati edhe kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, i cili siguroi banorët e zonës se do t’i kompletoj me infrastrukturën e nevojshme, si me ndriçim publik, rrjet ujësjellësi dhe kanalizimi si dhe këtë projekt që po vijon, asfaltimi i rrugës. Edhe drejtori i Infrastrukturës, Arbër Bytyqi, theksoi rëndësinë e këtij projekti për këtë zonë, si dhe detajet teknike të projektit.

“Po inspektohet projekti në lagjen e Dragoshëve, projekt ky 2 vjeçar në vlerën rreth 290 mijë euro që ka të bëj me asfaltimin e rreth 2700m rrugë, rreth 1200m kanalizim fekal si dhe 150m trotuar. Një pjesë është përfunduar tashmë, ndërsa pjesa tjetër ditëve në vijim do të përfundohet, në përgjithësi si projekt do të përfundohet gjatë këtij viti. Është një projekt shumë i rëndësishëm për banorët e kësaj zone, për arsye se i mundëson lidhjen më të lehtë edhe mes fshatit gjithashtu dhe i ofron banorëve të lagjes së Dragoshëve më afër me qytetin e Ferizajt, pasi që do të kenë mundësinë e qasjes direkt në rrugën magjistrale Ferizaj-Gjilan”, citohet të ketë thënë Bytyqi.

“Gjithashtu, këtu afër kemi edhe një nënstacion të energjisë elektrike që është shumë i rëndësishëm për zonën e Ferizajt dhe furnizimin me energji dhe kjo rrugë do të mundësoj qasjen më të lehtë tek ky nënstacion, gjithashtu është afër edhe Kampi Bondstill dhe kjo rrugë do të mundësoj qarkullim shumë më të lehtë për të gjitha palët. Ne deri më tani kemi pasur telashe të realizimit të projekteve për shkak të kushteve atmosferike, tash me përmirësimin e kushteve atmosferike jemi në fazën e implementimit të shumë projekteve edhe në këtë zonë por edhe në zona tjera. Për Sojevën jemi në fazën e fundit të nënshkrimit të marrëveshjes për ndërtimin e Fabrikës së Ujit të pijshëm dhe e dimë që problemi kryesor në fshatin Sojevë është problemi i ujësjellësit dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes me Ministrinë e Financave dhe marrjes së kredisë ne do të bëjmë zgjidhjen për ujin e pijshëm për banorët e kësaj zone”, tha drejtori Bytyqi.

Projekti infrastrukturor i inspektuar nga kryetari i Ferizajt, Agim Aliu paraqet një arterie të rëndësishme për qarkullimin në këtë zonë dhe po punohet sipas standardeve më të larta infrastrukturore, gjegjësisht të ndërtimit të rrugëve dhe infrastrukturës nëntokësore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test