Ferizaj, prezantohen sukseset dhe sfidat e Inspektoratit Komunal

Ferizaj

Ferizaj, prezantohen sukseset dhe sfidat e Inspektoratit Komunal

Më: 5 korrik 2018 Në ora: 15:03
Ridvan Berisha

Për herë të parë në Komunën e Ferizajt, në funksion të transparencës dhe llogaridhënies së qeverisjes lokale të bazuar në platformën e kryetarit të Komunës, Agim Aliu, dhe pas fuqizimit që i është bërë Inspektoratit Komunal, puna e këtij mekanizmi mjaft të rëndësishëm institucional është prezantuar në konferencë për medie.

Koordinatori i Inspektoratit Komunal, Ridvan Berisha në këtë konferencë me gazetarë ka paraqitur raportin 6-mujor të sukseseve dhe sfidave me të cilat është ballafaquar ky sektor, veçanërisht aksionet e ndërmarra për të rritur kontrollin e produkteve që ofrohen në treg.

Ai ka përmendur aksionet për kontrollin e cilësisë së mishit, qumështit,  ndalimi i ekspozimit të fruta-perimeve dhe lëngjeve në diell, heqja e tezgave përgjatë sheshit kryesor të qytetit, për të përmbushur zotimin e kryetarit të Komunës, Agim Aliu që sheshi t’i kthehet qytetarëve.

“Përkitazi me këtë kemi siguruar edhe 24 vende për ekspozimin e produkteve për tezgë mbajtësit, kurse Kryetari i Komunës, për këtë kategori ka ofruar punësim në sektorin privat, për tre anëtarë të familjes së secilit pronar të tezgave”, tha ai.

Po ashtu, gjatë kësaj periudhe, komuna e Ferizajt ka ndërmarrë një aksion për kontrollin e kushteve të ushtrimit të veprimtarisë së lokaleve të lojërave të fatit, përkatësisht bastoreve dhe kazinove që operojnë në territorin e Ferizaj.

“Ne kemi inspektuar lokalet e natës në territorin e Ferizajt ku ka dyshime për zhvillimin e veprimtarive devijante, me ç ‘rast kemi arritur që disa prej tyre t’i mbyllim, të tjerat të shuajnë aktivitetin e tyre, kurse pjesa tjetër të vazhdoj operimin sipas kushteve të kërkuara nga autoritetet shtetërore”, tha Berisha.

Për të evidentuar gjendjen në shkolla, janë zhvilluar kontrolle të kushteve higjiene-sanitare, ku sipas këtij raporti, afro 80% e tyre plotësojnë kushtet bazë higjiene-sanitare, ndërkohë me krijimin e fondit të pastërtisë ky nivel do të ngritet.

Berisha ka folur edhe për largimin e panove reklamuese në qytet, të cilat janë vendosur pa leje dhe që kanë penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat