Hapet Panairi i Punës dhe ekspozita “Profesionistët e së Ardhmes 3”

Ferizaj

Hapet Panairi i Punës dhe ekspozita “Profesionistët e së Ardhmes 3”

Më: 31 maj 2018 Në ora: 19:41
Panairi i Punës dhe ekspozita “Profesionistët e së Ardhmes 3”

Në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), sot u hap Panairi i Punës dhe Ekspozita “Profesionistët e së Ardhmes 3”.

Në panair u ofruan ofertat për punë nga kompanitë, me ç’rast do të përfitojnë punësim një numër i konsiderueshëm i studentëve të UShAF. Në Ekspozitë po i ekspozojnë punimet e tyre studentët e Fakultetit të Arkitekturës, Dizajnit dhe Teknologjisë së Drurit.

Hapjen solemne të Panairit dhe Ekspozitës e bëri rektori i UShAF, Agron Bajraktari, i cili falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje në këtë ngjarje të rëndësishme për institucionin tonë.

“Sot, po shënojmë një ditë shumë të rëndësishme, sepse po hapim për herë të parë Panairin e Punës, i cili ofron mbi 100 vende të punës për studentë dhe vjen si rezultat i bashkëpunimit të përbashkët të universitetit dhe bizneseve kosovare , si dhe mbështetjes nga GIZ gjerman. Po ashtu, falënderoi Bordin Industrial për kontributin në përpilimin e planprogrameve, si dhe përgatitjen e përbashkët të profesionistëve dhe ekspertëve të cilët do të ua sjellim tregut kosovar dhe më gjerë”, tha Rektori.

Rektori Bajraktari falënderoi Shoqatën “Down Syndrome Kosova” dhe premtoi se do ta kenë përkrahjen e universitetit, si dhe falënderoi studentët që prodhimet e tyre i dhuruan për këtë komunitet.

Nënkryetari i komunës së Ferizajt, Naim Ferati tha se është ngjarje e veçantë në universitet dhe për komunën e Ferizajt, e cila inkurajon shumë që ne si përfaqësues të komunës të kontribuojmë për ambiente sa më të mira drejt arritjes së sukseseve të reja në të ardhmen.

Ndërsa, Jehona Serhati nga GIZ-i gjerman, Panairin e cilësoi si të suksesshëm dhe tha se jemi me fat dhe shumë të nderuar që kemi ofruar mbështetje në vendin e duhur dhe premtoj se ky është vetëm fillimi i këtij bashkëpunimi.

Enver Haziri foli në emër të Bordit Industrial dhe e cilësoi bashkëpunimin e deritanishëm si mjaft të suksesshëm, i cili sipas tij po jep rezultate të pritura në krijimin e profesionistëve të së ardhmes.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat