Fillon mbyllja e kazinove dhe bastoreve në Ferizaj

Ferizaj

Fillon mbyllja e kazinove dhe bastoreve në Ferizaj

Më: 29 maj 2018 Në ora: 20:19
Kazino

Në Ferizaj janë mbyllur 4 kazino dhe bastore, për shkak të mos respektimit të ligjeve në fuqi.

Ditë më parë, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka formuar një komision komunal me përbërje nga Inspektorati Komunal dhe përfaqësues nga drejtoritë komunale, i cili drejtohet nga inspektorati komunal, me qëllim zbatimin e ligjit dhe kontrollimin e kushteve të tjera teknike-sanitare të lokaleve që zhvillojnë veprimtarinë e lojërave të fatit.

Ky aksion i ndërmarr nga qeverisja lokale, ka rezultuar me mbylljen e 4 nga 6 lokalet e inspektuara të lojërave të fatit, përkatësisht kazinove dhe bastoreve që kanë zhvilluar këtë veprimtari në rrugën “Enver Topalli”.

Shkak për mbylljen e këtyre lokaleve është mosrespektimi i distancës së paraparë ndaj objekteve të rëndësisë publike, të parapara me ligjet në fuqi, mungesa e kushteve minimalo-teknike, mungesa e dokumentacionit sanitar dhe parregullësi të tjera.

Siç njofton Komuna e Ferizajt, ngjashëm do të veprohet në të gjithë territorin e Ferizajt me të lokalet e kësaj veprimtarie që nuk plotësojnë kushtet ligjore, pasi aksioni do të vazhdojë edhe ditëve në vijim.

Respektimi i distancës së këtyre lokaleve me objektet e rëndësisë publike siç janë shkollat, objektet e kultit fetar, objektet e trashëgimisë kulturore e të tjera, është kusht i pashmangshëm që duhet të plotësohet për operimin e tyre.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu është i vendosur që të garantojë zbatimin e ligjit, rrjedhimisht edhe luftimin e dukurive negative që cenojnë familjen, mirëqenien ekonomike të qytetarëve ferizajas dhe veçanërisht komunitetin e të rinjve.

Ky aksion paraqet hapin konkret drejt realizimit të platformës qeverisëse të kryetarit Aliu në drejtim të një shoqërie dhe familje të shëndosh, gjithmonë në zbatim dhe harmoni me ligjet në fuqi që rregullojnë këtë fushë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat