LDK në Ferizaj e kundërshton lokacionin e ri të spitalit

Ferizaj

LDK në Ferizaj e kundërshton lokacionin e ri të spitalit

Më: 17 maj 2018 Në ora: 12:42
Grupi i kuvendarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Ferizaj

Grupi i kuvendarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Ferizaj kanë kundërshtuar ndërrimin e lokacionit për ndërtimin e spitalit regjional në këtë komunë, duke e konsideruar si vendim të jashtëligjshëm. Ata kanë paralajmëruar se nëse nuk ndërmerret asgjë për këtë vendim, çështjen do ta dërgojnë në Kushtetuese.

Përfaqësuesit e LDK-së po presin një përgjigje nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që këta të fundit vendimin për ndërtimin e spitalit ta shpallin si të pavlefshëm.    

Burim Karameta, përfaqësues i kuvendarëve të LDK-së në Ferizaj, tha se ndërrimi i lokacionit për ndërtimin e spitalit regjional në këtë komunë është bërë në mënyrë të paligjshme.

Sipas tij, në parcelën ku legjislacioni i kaluar e kishte miratuar për ndërtim të spitalit i ka veprimet fillestare për fillimin e ndërtimit të këtij institucioni shëndetësor.

Karameta: Komuna në mënyrë të paligjshme e ndërron lokacionin

“Të gjitha procedurat për ndërtimin e spitalit regjional të Ferizajt janë kryer në lokacionin e planifikuar më herët do të thotë janë bërë matjet gjeomekanike terrenit, është bërë studimi i fizibilitetit për ndërtimin e spitalit në atë lokacion , gjithashtu operatorët ekonomik nga tenderi i shpallur nga ministria e Shëndetësisë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë studimet dhe hulumtimet për projektin në fjalë, projekti është dizajnuar dhe janë harxhuar para., dhe tani krejt në fund pushteti aktual në mënyrë krejt të paligjshme dhe antiligjore i jep të drejtë vetës që të bëjë një ndërrim të lokacionit”, u shpreh ai.

Sipas tij, ky vendim është në kundërshtim me ligjin mbi vetëqeverisjen lokale, ligjin për planifikim hapësinor dhe planin zhvillimor.

Karameta shtoi se pasi disa takimeve me disa zyrtarë të zyrës ligjore në Ministrinë e  Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor janë informuar se edhe kjo ministri i jep të drejtë grupit të LDK-së.

Karameta: Po presim vendimin nga ministrja

“Informatat bazë, të cilat i kemi ne janë, se pothuajse si duke ne kemi të drejtë dhe po presim ministren që të nënshkruan sa më parë në mënyrë se ajo është e obliguar që brenda muajit eventualisht brenda dy javësh të kthejë përgjigje, në të kundërtën lejohet zbatimi i vendimeve të Kuvendit”, u shpreh ai.

Anëtari i Komisionit për Shëndetësi në kuadër të LDK-së në Ferizaj, Hajdin Ymeri lokacionin e mëhershëm për ndërtimin e spitalit e sheh  më të favorshëm për zhvillimin e shërbimeve mjekësore, sesa plani i tanishëm i cili përfshin një sipërfaqe prej dy hektarësh.

Ymeri: Lokacioni i mëparshëm më i përshtatshëm

“Aspekti profesional është më se i bindshëm për lokacionin në të cilin kemi qenë, duke e marr parasysh sipërfaqen që e kemi pasur në dispozicion prej 10 hektarësh ku mund të zhvillohet një aktivitet shëndetësor me perspektiv të mirë. Shqetësimi tjetër është se rritja e qytetit bëhet vit pas viti dhe në çoftë se i krahasojnë parcelat ku tani po dëshiron me u ndërtua spitali që i ka vetëm dy hektarë, ndërsa në propozimin që ka qenë më herët si projektime sipërfaqja ka qenë 10 hektarësh”, u shpreh Ymeri.

Gëzim Kokollari po ashtu nga LDK në Ferizaj, tha se përkundër të gjitha procedurave të kryera për lokacionin e mëhershëm, tani po tentohet të ndërrohet lokacioni.

Kokollari: Rreth 500 mijë euro i janë ndarë operatorit ekonomik

“Paradoksi është këtu se realisht janë kryer të gjitha procedurat e tenderimit dhe kemi informata të sakta që janë ndarë edhe 500 mijë euro për operatorin ekonomik që e ka marr punën për ta kryer në lokacionin te “Pishat”, ndërsa në kundërshti të plotë me ligjin edhe përkundër të gjitha procedurave që janë kryer po tentohet që të ndërrohet lokacioni në vend që tani më kjo punë të jetë e kryer dhe ndoshta të jetë kati i parë i përfunduar, pasi që i kanë marr mjetet dhe operatori ekonomik po i përdor për nevoja të veta”, u shpreh ai.

Ndryshe, grupi i kuvendarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Ferizaj kanë paralajmëruar se nëse nuk ndërmerret asgjë për këtë vendim komunal, çështjen do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Lokacioni  i paraparë më herët për ndërtimin e spitalit regjional në Ferizaj ishte te parku “Liria”, ndërsa tani ndërtimi i spitalit regjional në këtë qytet është paraparë tek ish-tregu i kafshëve në rrugën “Driton Islami”.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat