Aliu: E gjeta komunën me miliona euro borxh

Ferizaj

Aliu: E gjeta komunën me miliona euro borxh

Më: 13 maj 2018 Në ora: 10:09
Agim Aliu

Ndonëse e gjeti komunën e Ferizajt me 10.56 milionë euro detyrime të drejtpërdrejta të cilat ose janë të përmbaruara ose presim si fatura për t’u realizuar, tashmë kreu i kësaj komune, Agim Aliu shprehet i bindur se do të realizohet e gjithë platformën e tij qeverisëse.

Në një intervistë për Kp Aliu ka deklaruar se komunën që drejton e ka gjetur edhe më keq sesa që e kishte menduar. Ai tha se ka gjetur kontrata të pambuluara, projekte të pambuluara pa asnjë cent dhe se kjo kap shifrën prej 40.8 milionë eurove.

 Aliu: E kemi gjetur komunën me 10.56 milionë euro detyrime

“E kemi gjetur komunën me 10.56 milionë euro detyrime të drejtpërdrejta që janë ose të përmbaruara ose që presin si fatura për t’u realizuar. Po ashtu, kemi obligime dhe kontrata të pambuluara, projekte të pambuluara pa asnjë cent pothuajse dhe që kjo kap shumën prej 40.8 milionë euro. Pra, vetëm në aspektin financiar kemi një mori problemesh dhe një mori çështjesh dhe sigurisht se është një sfidë e jashtëzakonshme për mua si kryetar komunë, por, sido që të jetë gërshetimi i përvojës sime lokale dhe përvoja ime si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe komunikimi që kam bërë edhe me ministrin e Financave dhe me ministritë tjera të linjës po edhe me vetë kryeministrin e Kosovës, të cilët tashmë kanë shprehur gatishmërinë që të më mbështesin pikërisht për faktin se është një gjendje të tillë komuna e Ferizajt. Unë besoj se do të realizojë platformën time qeverisëse, unë do të realizoj atë q ë ka qenë besim i qytetarëve të komunës së Ferizajt, ka qenë zotim i imi, sepse kam dëshmuar dhe do të dëshmojë se nuk jam një njëri që vetëm kam premtuar dikur apo që më shërbejnë fushatat elektorale vetëm sa për të marrë vota”, tha Aliu.

Përveç gjendjes financiare, kreu i Ferizajt thotë se në gjendje të rëndë është edhe fusha e urbanizmit, ku ai u shpreh se kanë trashëguar një plan zhvillimor komunal, i cili më së paku mund të quhet i tillë.

Për të zgjidhur këtë kaos, Aliu thotë se do të shtyjë përpara projektet të cilat do të zgjidhin këtë kaos urbanistik, që një nga to është projekti “Bashkimi i Qytetit”.

Aliu: Do të realizojmë projekte në interes të qytetarëve

“Do të realizojmë projekte të cilat janë në interes të qytetarëve, por mbi të gjitha për të hequr qafesh kaosin urban që mbizotëron në Komunën e Ferizajt, e që kjo lidhet edhe me projektet e mija të cilat janë të parapara pikërisht që të zgjidhim kaosin urban në Ferizaj. Pasi që Ferizaj sot, respektivisht Komuna e Ferizajt është komuna me ekspansionin më të madh të ardhjeve, të prurjeve të qytetarëve dhe sigurisht se edhe planifikimet tona duhet të jenë në harmoni me këto prurje në qytetin e Ferizajt. Sepse ju tashmë e dini që Ferizaj është komuna e tretë për nga numri i banorëve në nivel të republikës dhe komuna e dytë për nga zhvillimi ekonomik dhe sigurisht që të gjitha politikat tona dhe e gjithë platforma jonë qeverisëse është në harmoni me këtë agjendë dhe me këtë zhvillim. Madje, duke prirë që pikërisht qyteti i Ferizajt të vazhdojë të zgjerohet edhe më shumë, të ecë edhe më shumë dhe që të jetë qendra e dytë në Kosovë më e rëndësishmja, respektivisht qendra e parë më e rëndësishmja në Kosovë pas kryeqytetit”, tha ai.

Komuna e Ferizajt ka probleme edhe në fushën e arsimit, që kryetari i kësaj komune, Agim Aliu thotë se ka pasur një politizim ekstrem të arsimit, qoftë në rekrutimin menaxherial, qoftë në rekrutimin e të punësuarve.

Aliu: Jam i përkushtuar që të bëjë ndryshime në fushën e arsimit

“Depolitizimi i shërbimeve në të gjithë pjesët e administratës komunale që është në kuadër të përgjegjësisë së Komunës së Ferizajt. Në mënyrë të veçantë jam i përkushtuar që të bëjë ndryshime në fushën e arsimit, sepse është koha dhe momenti  i fundit që ne ta vëmë në binarë e duhur arsimin. Vënien në binarë të duhur të arsimit është pikërisht përmes ushtrimit apo lënies së përgjegjësive në kuptimin e profesionistëve, sepse pa profesionistë të fushës dhe pa përzgjedhje profesionale, pa përzgjedhje të pandikuara politikisht, unë mendoj se nuk mund të bëjmë zgjedhjen e duhur sa i përket fushës së arsimit. Periudha ime 100 ditore e qeverisjes e ka dëshmuar se ne për herë të parë shpallim konkurse të cilat janë me transparencë të plotë, me mundësi konkurrimi për të gjithë dhe që pa ndikime politike përzgjidhen pjesa e stafit profesional që në këtë rast është pjesë e një konkursi” , është shprehur kryetari Aliu.

Po ashtu, Aliu u shpreh se janë të përkushtuar për të ofruar kushte më të mira në shkolla, pasi sipas tij, ende nuk janë kushtet e duhura nëpër shkollat e kësaj komune.

Ndërsa, ka bërë të ditur se do të ndërtohet edhe një shkollë profesionale me të vetmin qëllim që nxënësit të orientohen nga aftësimi profesional si një mundësi e mirë për të gjetur më pastaj një vend pune.

Duke qenë se kjo komunë shquhet për numrin e madh të bizneseve që operojnë, Aliu bëri të ditur se do të themelohet qendra e Ndërmarrësisë dhe Inovacionit.

Aliu: Do të themelojmë edhe qendrën e inovacionit dhe të ndërmarrësisë

“Përmes ndërtimit apo hapjes së mundësive të reja të profileve të reja në fushën e arsimit të krijojmë pikërisht njerëz profesionistë dhe që praktikisht të vihen në shërbim të komunitetit të biznesit. Por, sigurisht që dëshiron kohë dhe sigurisht se nuk do të jetë e lehtë që të krijohen të gjitha profesionet e kërkuara nga komuniteti i biznesit, por lajmi i mirë është se Ferizaj është shndërruar në një qendër dhe në një mundësi punësimi për të rinjtë dhe të rejat e Ferizajt. Po ashtu,  duke qenë kështu unë në fakt tashmë së bashku me Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do të themelojmë edhe qendrën e inovacionit dhe të ndërmarrësisë, tashmë kam ndarë lokacionin sa i përket qendrës së inovacionit”, tha ai.

Komuna e Ferizajt sipas kreut të saj, Agim Aliu probleme ka edhe në fushën e sportit, por që ai shprehet i gatshëm për të ndihmuar në këtë fushë.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat