Shtatë vjet burgim për grabitje

Ferizaj

Shtatë vjet burgim për grabitje

Më: 9 shkurt 2018 Në ora: 12:44
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Ferizaj, sot shpalli aktgjykim dënues ndaj të pandehurit me inicialet Xh.S, i cili akuzohet se ka kryer veprën penale “Grabitja”.

Trupi Gjykues i kryesuar nga gjyqtari Musa Konxheli, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, fjalëve përfundimtare, të pandehurin Xh.S, e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej shtatë vjet dhe dënim me gjobë në shumë prej dy mijë e pesëqind  euro.

“I pandehuri akuzohet se në dhjetor të vitit 2015, në Ferizaj ka hyrë në shtëpinë e A.S me vëllain e tij D. dhe një person të panjohur, dhe me përdorimin e forcës kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të të dëmtuarit, me qëllim që t’i sjellin vetës dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që të maskuar, pasi i'u është hapur dera e shtëpisë nga G.S i cili ishte i vetëm në shtëpi e kanë kapur të njëjtin duke e tërhequr zvarrë dhe duke i kanë kërkuar paratë e babait të tij i cili posedon një ndërmarrje për këmbimin e valutave dhe me këtë rast kanë filluar të demolojnë orenditë e dhomave dhe kanë gjetur dymijë e treqind (2.300) euro dhe stoli ari në vlerë rreth njëmijë e katërqind (1.400) euro, ndërsa pas kontrollimit të shtëpisë të njëjtit e kanë lidhur viktimën për karrige dhe janë larguar nga shtëpia”, thuhet në komunikatë.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë dite nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat