Ngritet aktakuzë për keqpërdorim detyre ndaj ish-zyrtares së Bankës në Ferizaj - Bota Sot
Ngritet aktakuzë për keqpërdorim detyre ndaj ish-zyrtares së Bankës në Ferizaj

Ferizaj

E enjte, 22 shkurt 2018

Ngritet aktakuzë për keqpërdorim detyre ndaj ish-zyrtares së Bankës në Ferizaj

Më: 26 dhjetor 2017 Në ora: 15:46
Ilustrim

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka ngritur aktakuzë ndaj ish-zyrtares së bankës “TEB”, dega në Ferizaj, Mihane Plakaj, për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, pasi dyshohet se në vazhdimësi ka tërhequr nga xhirollogaritë private të klientëve para në vlerë prej mbi tre mijë euro.

Lajmin për ngritjen e aktakuzës, për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, kurse është mësuar kjo këtë lëndë do ta përfaqësoi prokurori Arben Ismajli.

Sipas prokurorisë, tani e akuzuara Plakaj, nga muaji shtator deri në muajin maj të vitit 2016, duke e shfrytëzuar detyrën e saj zyrtare – analiste e portofolisë për klient individual, në “TEB Bank”, dega në Ferizaj, me qëllim të përfitimit të saj pasuror ka tejkaluar kompetencat zyrtare.

Plakaj, po akuzohet se nga llogaritë bankare të kredit kartelave të klientëve, tani të dëmtuarve Labinot Leka, Përparim Mijalica, Musli Musliu, Nazmije Qerkini, Rexhep Vila, Qëndresa Agushi, Arjeta Rexhepi, Hazbije Bytyqi dhe Shkumbin Sefedini, për nevoja personale ka bërë pagesa nëpër qendra të ndryshme tregtare, duke i dëmtuar të lartcekurit, në shumë të përgjithshme prej 3,115,14 euro.

E njëjta, po akuzohet se plaçkitjen e ka kryer tek klientët të cilët në bankë kishin kërkuar t’i mbyllnin llogaritë e tyre bankare të kartelave “StarCard”.

Gjykata Themelore në Ferizaj, ndërkaq më 26 tetor të këtij viti, të njëjtës i ka caktuar masën alternative të “ndalimit për t’iu afruar vendit ose personave të caktuar”, në këtë rast klientëve të bankës “TEB”, të cilët dyshohet se janë plaçkitur, duke refuzuar kështu kërkesën e prokurorisë për caktim të arrestit shtëpiak ndaj të njëjtës.

“Betimi për Drejtësi”, ka kontaktuar me zëdhënësen e Gjykatës Themelore në Ferizaj, Albënora Bekteshin, e cila ka njoftuar se kjo gjykatë, duke u bazuar në nenin 37 paragrafin 3 lidhur me paragrafin 2 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, për gjykimin e kësaj lënde, e ka deleguar kompetencën në Gjykatën Themelore të Prizrenit.

Ndryshe, në nenin 37 paragrafin 2 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, thuhet: “në qoftë se gjykata themelore kompetente për shkaqe juridike ose faktike është penguar të zbatojë procedurën pas dëgjimit të palëve, kryetari i Gjykatës Themelore mund të kalojë procedurën te një degë tjetër brenda Gjykatës Themelore kompetente”.

Ndërkaq, në paragrafin 3 të po këtij neni, thuhet “nëse kalimi nga paragrafi 2 i këtij neni, nuk është i mundshëm, kryetari i Gjykatës Themelore kompetente duhet të konsultohet me një tjetër Gjykatë Themelore që ka kompetencë lëndore dhe të pajtohen për transferimin e procedurës”.

Tani e akuzuara Plakaj, më 25 tetor të këtij viti, ishte arrestuar nga Policia e Kosovës.

“Me datën 25.10.2017, nga Policia e Kosovës, konkretisht Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, është arrestuar e dyshuara femër K-Shqiptare zyrtare në një bankë, me dyshimin e bazuar se e njëjta në vazhdimësi u ka tërhequr nga xhirollogaritë private vlera monetare të ndryshme klientëve të bankës”, kishte njoftuar Policia një ditë pas arrestimit.

Për të njëjtin rast, Prokuroria Themelore në Ferizaj, ishte duke kryer hetime edhe ndaj një të dyshuare tjetër, po ashtu punonjëse në bankën “TEB”, mirëpo “Betimi për Drejtësi” ka mësuar se ndaj kësaj të fundit, me vendim të prokurorit hetimet kanë pushuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test