LDK përmbyll fushatën në Ferizaj, Mustafa: Sfarqa ndryshoi qytetin duke tërhequr investime të mëdha

Ferizaj

LDK përmbyll fushatën në Ferizaj, Mustafa: Sfarqa ndryshoi qytetin duke tërhequr investime të mëdha

Më: 16 nëntor 2017 Në ora: 20:51
Ferizaj, LDK

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të enjten në Ferizaj, se fitorja e Muharrem Sfarqës është fitore e të gjithë qytetarëve të Ferizajt, sepse ai e ka dëshmuar se qeveris mirë dhe me transparencë të plotë.

“Qeverisja e LDK-së dhe kryetarit Muharrem Sfarqa, e ka rithyer Ferizajn në skemat e investimeve. Muharrem Sfarqa ka qenë avokat i shkëlqyer i interesave të Ferizajt dhe qytetarëve të tij. Dhe ka arritur të tërheqë investime e projekte të shumta që Ferizajt ia kanë ndryshuar gjendjen dhe pamjen. Kryetari Muharrem Sfarqa dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë të vendosura për ta vazhduar qeverisjen e mirë, transparente dhe zhvillimore të Ferizajt. Prandaj, ballëhapur u kërkojmë votën ferizajasve për kryetarin e tyre. Sepse Muharrem Sfarqa ka platformën më të mirë qeverisëse të zhvillimit të Ferizajt”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se Sfarqa dhe LDK-ja i ka mbajtur premtimet dhe Ferizaj sot ka pamje të re dhe ka perspektivë.

Image

“Ferizajasit nuk do të lejojnë rikthimin aty ku ishin para 4 vjetëve. Prandaj, ju kërkoj që më 19 nëntor të dilni të gjithë në zgjedhje. Mos i lejoni askujt të eksperimentoj me formula që janë treguar të dështuara. Siguroni fitoren e thellë të Muharrem Sfarqës. Kështu ju do t’i jepni përgjigjen që meritojnë komplotistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Atyre që më shumë se gjithçka tjetër, u pengon Lidhja e Lidhjes Demokratike të Kosovës me qytetarin e Kosovës, Dardanisë Antike, siç thoshte Presidenti Rugova”, pohoi kreu i LDK-së.

Ai pohoi se kohët e fundit nuk po publikohet asnjë sondazh, sepse krejt matjet, vendore e ndërkombëtare, e nxjerrin fituese të këtyre zgjedhjeve Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kandidatët e saj për kryetar të komunave të Kosovës.

“Ne do ta qeverisim Ferizajn edhe shumë mandate tjera. Ju thërras që 19 nëntorin ta shndërrojmë në referendum për të ardhmen e Ferizajt dhe krejt Kosovës. Votoni kandidatin tonë për kryetar të Ferizajt, Muharrem Sfarqën. Bisedoni edhe me fqinjët tuaj dhe shpjegojani se vota për Muharrem Sfarqën është votë për të ardhmen e secilit prej tyre, pavarësisht bindjeve politike”, ka thënë Mustafa.

Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarca, tha se gjatë mandatit tim kam bashkëpunuar ngushtë me bizneset për shtimin e kapaciteteve, zgjerimin e atyre ekzistuese dhe hapjen e atyre të reja, të cilat i kanë dhëne shpirt zhvillimit ekonomik të komunës së Ferizajt.

Image

“Ne si komunë kemi dhënë maksimumin për përkrahjen e bizneseve, si dhënien e pronave për shfrytëzim, ku kemi dhënë diku mbi 20 hokatarë tokë për periudha afatshkurta dhe afatgjata. Në këto prona sot kanë gjetur punë mbi 1000 punëtorë të rinj”, tha Sfarqa.

Ai ka thënë se Lidhja Demokratike është parti model, e cila ju jep hapësirë të gjithëve, pa asnjë dallim, burrave dhe grave, të rinjve dhe të moshuarve për të kontribuar për të zhvilluar atdheun tonë dhe komunat tona.

“Programi ynë për qeverisjen katërvjeçare në Ferizaj, nuk është i bazuar në fjalë të mëdha, por në veprime konkrete nga njerëz të dëshmuar dhe të përgjegjshëm”, ka thënë kryetari i Ferizajt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat